“Vendimi merret vetëm nga shtetet anëtare”, BE-ja flet për letrën ku kërkohet politikë balancuese ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian e ka pranuar një letër të nënshkruar nga 56 deputetë të Evropës e Shteteve të Bashkuara, ku kërkohej politikë balancuese ndaj Kosovës dhe Serbisë. Duke folur mbi këtë, zëdhënësi Peter Stano deklaroi se blloku ka “mijëra-mijëra” deputetë, por vendimet merren nga 27 vendet anëtare. Ai po ashtu, la të kuptojë se Kosova nuk është sjellur në mënyrë evropiane, gjë që sipas tij, çoi edhe deri te masat e vendosura ndaj saj.

BE-ja është përgjigjur pas letrës drejtuar Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, duke thënë se të njëjtës do t’i përgjigjet, por duke theksuar se politikat e tyre bëhen nga 27 vendet anëtare.

“Mund të konfirmoj që Përfaqësuesi i Lartë e ka pranuar këtë letër, ai gjithmonë përgjigjet…kur vjen te çështja që është ngritur nga disa shtete, mund të them që politikat e BE-së formohen nga 27 vende anëtare. Ne kemi mijëra-mijëra eurodeputetë, por vendimet vijnë nga 27 vendet anëtare në unanimitet.” – tha Stano para gazetarëve.

Kjo, sipas BE-së, është edhe arsyeja e vendosjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat siç ishte bërë e ditur, janë të kthyeshme dhe të përkohshme.

“E kemi thënë disa herë, BE-ja është ndërmjetësues që po ndihmon të dy palët që të arrijnë kompromisin për të normalizuar marrëdhëniet. Çfarë kemi bërë pas eskalimit, kemi vendosur masa për shkak të mungesës së tyre për të filluar që të sillen në mënyrë evropiane.” – theksoi ai.

Veç kësaj, Stano ripërsëriti se mund të vendosen masa edhe ndaj Serbisë, nëse shihet që nuk po kontribuon në deeskalimin e situatës.

“BE-ja, institucionet, vendet anëtare sepse çdo gjë që e bëjmë bëhet në konsultim, edhe me partnerët siç është ShBA-ja, vendet anëtare do të vendosin, ne do të prezantojmë masa edhe ndaj Serbisë nëse 27 vendet anëtare gjejnë që në atmosferën aktuale, Serbia nuk po bën asgjë për deeskalimin e situatës.” – u shpreh Stano.

Në fund të përgjigjet së tij, zëdhënësi evropian deklaroi se BE-ja nuk i ka shkaktuar krizat në veri, por ato janë shkaktuar nga të dyja vendet, prej mënyrës “se si ato duan të arrijnë çfarëdo qëllime që kanë”.

“Ne kemi thënë disa herë, kur kemi diskutuar aspektet në dialog dhe sfidat, BE-ja pret nga të dyja palët një sjellje evropiane, për të gjetur një zgjidhje. Në fund, të dyja duan t’i bashkohen BE-së, kështu që duam që ata të sillen në mënyrë evropiane, që nënkupton të sillen konstruktivisht për deeskalim, që të arrihen kompromiset e nevojshme dhe ky është mesazhi që po e përçojmë ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji, sidomos në këtë aspekt të krizave konstrante. BE-ja nuk po i shkakton krizat, atopo shkaktohen se si partnerët (Kosovës dhe Serbisë) vendosin të arrijnë – çfarëdo qëllime që kanë – por nuk po i ndihmon rrugës evropiane.” – deklaroi ai.