Prerje, gërvishtje, shenja në trup… Këto lëndime ia kanë shkaktuar vetes rreth 20 nxënës të tri shkollave fillore në Kosovë, të frymëzuar, siç thonë udhëheqësit e shkollave, nga videot në rrjetin social, TikTok.
Përderisa Policia e Kosovës është duke e trajtuar rastin, sociologët, Këshilli i Prindërve të Kosovës, por edhe drejtorët e shkollave po kërkojnë mobilizim dhe vetëdijesim mbi përdorimin e rrjeteve sociale.
Shtatëmbëdhjetë nga këta nxënës vijojnë mësimin në shkollën “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë, ndërsa tre prej tyre vijojnë mësimin në shkollën “17 Shkurti”, në fshatin Gllogovc të Komunës së Lipjanit.
TikTok-u është aplikacion i popullarizuar për shpërndarjen e videove të shkurtra, kompania amë e së cilës, ByteDance, e ka bazën në Kinë. Në vitin 2021, TikTok-u është shpallur aplikacioni më i shkarkuar në botë, që përdoret nga të gjitha moshat, por të rinjtë janë shënjestra kryesore. Kjo ka rritur shqetësimet për sigurinë e tyre çdo ditë e më shumë.
Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se janë të informuar për këto raste, por pa dhënë detaje tjera, porse që janë “ndërmarrë veprimet e nevojshme”.
“Përpos familjes, edukim medial e fushata vetëdijesuese”
Sociologu Genc Xërxa thotë për Radion Evropa e Lirë se mbrojtja nga rrjetet sociale duhet të fillojë nga familja, por, sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme.
“…këtu mund të luajë rol edhe edukimi medial në raport të ngushtë me fushata vetëdijesuese edukativo-arsimore, mbi shëndetin, komunikimin dhe socializmin te të rinjtë”, vlerëson ai.
Përveç kësaj, Xërxa përmend edhe nevojën që ndikimi i rrjeteve sociale mbi fëmijët të parandalohet më herët.
“Duhet me kohë të zbulohen raste të tilla nga prindërit, institucionet edukativo-arsimore apo ku fëmijët frekuentojnë në baza ditore që me kohë, këshillues të lëmenjve përkatës – psikologë e sociologë t’i këshillojnë për pasojat dhe të këqijat që këto fenomene mund t’i shkaktojnë”, ka shton ai.
Mosocializimi, egoizmi dhe mbyllja më vete, janë po ashtu, sipas tij, pasojat e “zhytjes në kthetrat e rrezikshme të botës virtuale”.
“Fëmijët, pos lëndimeve fizike që ia bëjnë vetes, duke u bërë pjesë e lojës, ata do ta rëndojnë tej mase edhe shëndetin e tyre mendor, duke u larguar nga rutina dhe obligimet e tyre ditore, mësimet dhe aktivitetet tjera normale që përkojnë me moshën e tyre”, thekson ai.
“Sfidat” që morën jetë në SHBA, çfarë masa u morën pastaj?
Platforma TikTok, aktualisht në të gjithë botën ka 1.5 miliard përdorues aktivë në baza mujore.
Duke qenë një nga aplikacionet më të përdorura në botë, ‘sfidat’ e paraqitura në këtë aplikacion nga përdorues të ndryshëm, të cilat njerëzit tentojnë t’i bëjnë, shpeshherë kanë përfunduar në tragjedi.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtator të vitit 2022, për shkak të një sfidë të njohur si “sfida e alivanosjes” apo “blackout challenge” dy fëmijë, një vajzë 9-vjeçare dhe një djalë 8- vjeçar kishin humbur jetën.
Kjo sfidë inkurajonte pjesëmarrësit të mbajnë kokën në qese derisa të humbasin vetëdijen.
Të dy familjet e viktimave kanë paditur kompaninë. Familja e vajzës ka paditur kompaninë nën arsyetimin se algoritmi i platformës promovoi sfidën e rrezikshme që rezultoi me humbjen e jetës për jetën vajzën e tyre. Ndërsa, familja e djalit nën arsyetimin se platforma nuk mbron fëmijët nga përmbajtja e dëmshme.
Pas këtij rasti, TikTok-u ka përmirësuar politikat e tij të kontrollimit të përmbajtjes, duke hequr sfidat e dëmshme nga platforma dhe pastaj edhe duke ofruar burime dhe qasje në linjat e ndihmës emocionale për ata që kanë nevojë.
Shkollat dhe komunitetet kanë shtuar përpjekjet për t’i edukuar prindërit dhe fëmijët për rreziqet që lidhen me sfida të tilla në internet, duke promovuar përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale. /Radio Evropa e Lirë/Spektri/