Vuçiq: Hera e parë që Kosova u ndesh me dënime të vërteta amerikane

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë nga Moldavia ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian se SHBA-ja dërgoi një dënim të vërtetë për siç tha sjelljen e Kosovës.

Ai ka shtuar se shpreson që njëjtë do të ndodhë edhe me evropianët.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse Amerika po e ndryshon kursin e saj ndaj Kosovës dhe a mund të ndikojnë në Albin Kurtin, Vuçiq tha se as “fëmijët nuk do të mund ta pranojnë atë përfundim sepse është mjaft e qartë se kush është përgjegjës dhe fajtor për një situatë specifike”, njofton Klankosova.tv.

“Por nëse më pyesni mua strategjikisht, sigurisht që asgjë e veçantë në atë qëndrim të përgjithshëm ndaj Kosovës dhe situatës në rajon nuk do të ndryshojë. Megjithatë, është e rëndësishme që, nëse asgjë tjetër, të paktën të mund të na dëgjojnë. Kur dikush ka qenë duke e ekzagjeruar për muaj të tërë dhe nuk mund të bëjë asgjë tjetër përveç provokimeve ndaj popullit serb – kjo ishte hera e parë që u ndesh me dënime të vërteta amerikane dhe për këtë u jam mirënjohës”, tha Vuçiq.

Të martën Shtetet e Bashkuara të Amerikës e sanksionuan Kosovën duke e përjashtuar nga stërvitja “Defender Europe 23”, si dhe në realizimin e vizitave bilaterale mes zyrtarëve të lartë të ShBA-së e Kosovës si dhe ndaljen e lobimit amerikan për njohje të reja, njofton Klankosova.tv.