Vuçiq paralajmëron përsëri: Do të rikthehet shërbimi i obligueshëm ushtarak – 75 ditë trajnim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar do të rikthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak me kohëzgjatje prej 75 ditësh.

“Do ta bëjmë shpejt. Këtë vit do të nisë shërbimi ushtarak prej 75 ditësh, nëse nuk gaboj”, tha Vuçiq në një intervistë për TV Prva, transmeton Spektri.

Duke komentuar çështjet rajonale të sigurisë dhe armatimit, ai u ndal edhe te forcat e armatosura kroate, duke i vlerësuar ato si “shumë të forta”. Sipas tij, ushtria e vendit të tij ka epërsi në disa segmente, si mjetet e blinduara me zinxhirë, flota e avionëve luftarakë dhe bombarduesve, si dhe te kapacitetet helikopterike dhe mbrojtja kundërajrore.

Deklaratat e tij pasojnë paralajmërimet se nga viti i ardhshëm planifikohet zbatimi i plotë i shërbimit të obligueshëm ushtarak, i cili do të zgjasë 75 ditë. Kjo shihet edhe në Propozimin për Buxhetin e vitit 2026, ku për tre vitet e ardhshme është paraparë një shumë prej gati 90 milionë eurosh për këtë qëllim, pa llogaritur ndërtimin e objekteve të reja ushtarake.

Ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq, ka theksuar se, sipas një hulumtimi të “Qendrës Kërkimore për Mbrojtje dhe Siguri”, 74 për qind e qytetarëve e mbështesin rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak./Spektri