Vuçiq: Radoiçiq ka dhënë dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për televizionin kombëtar spanjoll TV Espanyol ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

“Radoiçiq nuk dëshiron ta dëmtojë më tej Listën Serbe”, ka thënë Vuçiq, transmeton Euronews.

Në një intervistë për televizionin kombëtar spanjoll, presidenti serb e cilësoi situatën në Kosovë si shqetësuese, derisa i akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani se janë agresivë.

“Nuk e di nëse ajo që ndodhi ishte një pikë kthese. Jam shumë i shqetësuar sepse e di sa agresivë janë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Sidomos kur besojnë se kanë shumë mbështetje nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe kjo më shqetëson dhe më tremb”, tha Vuçiq.
Ditë më parë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte publikuar pamje ku shihej Milan Radojçiq, i armatosur e i uniformuar, brenda oborrit të manastirit të Banjskës, bashkë me disa terroristë të tjerë.

Radojçiq, ishte një nga udhëheqësit e sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas raportimeve, Radojçiq është trajtuar në një spital të Serbisë, pasi është plagosur nga Policia e Kosovës.