Ministri i Punëve të Brendshme, Sveçla ka reaguar pas dorëheqjeve të policëve serbë nga Policia e Kosovës duke thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë ashpër ndaj sjelljes së Serbisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se policët nga komuniteti serb po detyrohen të tërhiqen nga Policia e Kosovës për shkak të presionit nga Serbia.
Kjo pasi sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani bëri të ditur se dorëheqjet e policëve serbë kanë arritur në 7 deri më tani.
Edhe Sveçla ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar të reagojë ndaj Serbisë për presionin që po bën ndaj policëve.
“Policët po detyrohen të japin dorëheqjen përmes kërcënimeve dhe presioneve nga institucionet e sanksionuara të Beogradit. Në këtë mënyrë ata qëllimisht po dëmtojnë pakicën serbe në Kosovë, duke shkelur sovranitetin tonë. Kjo duhet të ndalojë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë ashpër ndaj sjelljes së Serbisë”, ka shkruar Sveçla në Twitter.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se deri më tani në bazë të informatave të fundit nga organet e sigurisë kanë dhënë dorëheqje shtatë zyrtarë serbë të Policisë së Kosovës.
Në një konferencë për media pas vizitës në komunën e Klinës, Osmani ka thënë se frikësimi dhe shantazhimi i këtyre policëve po vjen nga Serbia teksa ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të marrë masa ndaj Serbisë dhe presidentit, Aleksandër Vuçiq për presion ndaj tyre.
“Sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve, janë informata të konfirmuara, frikësimi dhe shantazhimi i tyre vjen nga Serbia, pra burimin e kanë në Serbi, ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën, po vazhdon nëpërmjet institucioneve ilegale dhe kriminale në Kosovë t’u bëjë presion qytetarëve serbë që janë pro integrimit, shfrytëzimit të të drejtave që u ofron dhe Kushtetuta dhe Marrëveshjet e Brukselit”, ka thënë Osmani.
Ajo ka akuzuar Serbinë për shkelje të Marrëveshjeve të Brukselit dhe për shkelje të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Veprime të tilla janë shkelje flagrante e marrëveshjeve të Brukselit, që kanë paraparë që një numër i policëve të jetë prej komunitetit varësisht prej kompozicionit etnik. Pres nga BE-ja të marrë masa ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për shkeljen e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, presioni ndaj policëve serbë vjen nga Serbia dhe strukturat e saj, prandaj presim që dënimi i këtyre akteve të jetë me dënimin e autorëve, autori është në Beograd”, ka vijuar ajo.
Po ashtu, më herët gjatë 17 gushtit, diplomatët ndërkombëtarë, të akredituar në Kosovë, shprehën shqetësimin e tyre për dorëheqjen e tre policëve serbë të Kosovës.
Nëntorin e kaluar, pjesëtarët serbë të policisë në veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të zyrtarëve serbë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Pas dorëheqjeve, në Kosovë u shpall një konkurs për pranimin e policëve të rinj, ku 74 policë të rinj nga komunitetet joshumicë kishin filluar punën në Policinë e Kosovës. Nga ky numër, 46 i përkisnin komunitetit serb./Dukagjini