Anëtarët e Këshillit Politik të Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë në seancën e mbajtur më 23 dhjetor 2021, i kanë sugjeruar Kryesisë së Lëvizjes që të pranojë dhe t’ua përcjellë partnerëve të koalicionit propozimin që kandidati i përbashkët për president në zgjedhjet e ardhshme të jetë gjenerali Zdravko Ponosh, raporton Spektri.
Sipas tyre, kryesia, Bordi Ekzekutiv dhe komisionerët komunalë dhe të qytetit e kanë përkrahur këtë propozim dhe kanë marrë vendim që për këtë të njoftohen partnerët e koalicionit.
Por, general-lejtnanti që i është përveshur politikës që nga viti 2009, për t’u rreshtuar përkrah Boris Tadiqit, ka shpalosur disa detaje interesante nga e kaluara e tij në ushtri.
Ai ka pranuar në një intervistë të bërë rishtas se ishte njeriu kryesor i ish-Armatës Popullore të Jugosllavisë që kishte për detyrë pengimin e valëve të Radiotelevizionit të Shqipërisë, në territorin e Kosovës, ndërsa urdhërin e kishte dhënë kryesia e Federatës.
“Në fillimin e viteve të 80-ta ka pasur turbulenca të shpeshta në Kosovë. E dikush mendonte se popullata shqiptare do të ishte më e dhënë pas jetesës së përbashkët dhe jugosllavizmit, nëse do ta shihnin më pak televizionin shqiptar nga Tiraba, e më shumë TV Prishtinën dhe TV Beogradin”, tha Ponosh për revistën serbe “Nedelnik”, duke sqaruar se ndalimi i sinjalit të RTSH bëhej me snjalin e kanalit të tyre të RTB-së, me pajisje të vendosurra në disa objekte ushtarake e civile në Kosovë.
Por, tani e pranon se kjo nuk ishte detyra më e duhur për ushtrinë.
“Natyrisht, duke e parë nga pikëpamja politike, sidomos nga kjo largësi kohore, është e qartë se kjo ishte punë gati se e kotë, por ushtria nuk ia ndante vetes detyrat. Kjo detyre ishte karakterizuar atbotë si fshehtësi ushtarake, kështu që në kuptimin ushtarak, kisha marrë një punë me përgjegjësi.”
Si i diplomuar në Akademinë Teknike Ushtarake në Zagreb dhe më pas i profilizuar për sistemet globale të navigimit, Ponosh pranon se gjatë bombardimeve të NATO-s ishte edhe njëri nga përgjegjësit për pengimin e caqeve të aeroplanëve të aleancës veri-atlantike.
E tash si politikan, nuk është se e pranon Kosovën si shtet, vetëm se fajin për humbjen e saj ia lë presidentit aktual dhe rivalit, Aleksandar Vuçiq.
“Ky pushtet, në të vërtetë ka dhënë gjithçka. Nuk ka më çka të jepet, përvec njohjes formale dhe pajtimit që Kosova të hyjë në Kombet e Bashkuara”, tha Ponosh, që në karrieren e tij është avancuar edhe në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes në Londër, si edhe në Qendrën e Studimeve të Sigurisë Evropiane “George Marshall” në Gjermani, derisa ka një gradë edhe vlerërimin që bënë NATO për komunikimet ushtarake.