Zvicra me sqarim për shtetasit e Kosovës rreth vizës së punës!

Këshilli Federal i Zvicrës me vendim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, sqarim për ata që duan të punojnë

Sot, Këshilli Federal i Zvicrës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se sot ka aprovuar ndryshimet e nevojshme në përputhje me vendimin e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian për liberalizimin e vizave për kosovarët, përcjell albinfo.ch.

Nga 1 janari 2024, kosovarët s’do të jenë më të detyruar të pajisen me vizë nëse dëshirojnë të vizitojnë Zvicrën për një qëndrim deri në maksimumi 90 ditë.

Siç është raportuar, menjëherë pas vendimit në nivel të BE-së, që u mor më 18 prill, Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) kishte shpallur lirimin e kosovarëve nga detyrimi i vizës. Ndüersa sot, më 17 maj, edhe Këshilli Federal (qeveria e vendit) e ka bërë të plotfuqishëm këtë qëndrim.

“Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për viza që ndërlidhen me sigurinë, kontrollet kufitare dhe migrimin. Për këtë arsye Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së kanë aprovuar rregulloren më 19 prill 2023 që liron kosovarët nga detyrimi për t’u pajisur me vizë për qëndrim të shkurtër deri në maksimum 90 ditë. Por, kërkohet pajisja me pasaportë biometrike. Si një vend i zonës Schengen, Zvicra është e përkushtuar për të miratuar zhvillimet e më tejshme në kuadër të legjislacionit të Shengenit, thuhet në komunikatë.

Këshilli Federal sqaron më tutje se miratimi i këtyre ndryshimeve në kuadër të Schengenit kërkon edhe modifikimin e Urdhëresës për hyrje dhe lëshimin e vizave (VEV).

“Ky ndryshim i Urdhëresës do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në komunikatë sqarohet se për të punuar në Zvicër vazhdon të jetë e nevojshme pajisja me vizë.

“Shtetasit kosovarë lejohen të punësohen vetëm me kusht që të kenë kualifikime të mira profesionale dhe të mos gjenden punëtorë ekuivalent në tregun zviceran të punës apo në vendet e BE/EFTA. Gjithashtu duhet respektuar paga dhe kushtet e zakonshme të punës”, sqaron shteti zviceran.