Ka ekzistuar frika në kryeqytete të Bashkimit Evropian se Serbia “mund të pushtojë” Kosovën në maj të këtij viti kur kishte dërguar trupat e saj drejt kufirit, ka shkruar Maurizio Geri, analisti ushtarak, i cili aktualisht është asistent në Qendrën e NATO-s për Kërkime dhe Eksperimente Detare në La Spezia të Italisë. Në një artikull të gjatë të kushtuar ngjarjeve të fundit të tensionuar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Geri ka analizuar, siç e ka quajtur ai, “ngaterrën e politikava të BE-së” si dhe “dështimit” të saj për të zgjidhur “një kontest territorial” ndërmjet dy shteteve.
“BE ka dështuar të sjellë ripajtim në një tjetër kontest territorial. Pasi që është vetëm 120 kilometra larg kufijve të saj, BE duhet që pamohueshëm të jetë lojtarja kryesore gjeopolitike në zgjidhjen e çështjeve mes Serbisë dhe Kosovës. Pavarësisht se kanë kaluar dekada që kur përfunduan luftërat në Ballkan që morrën fund me intervenim të NATO’s, rajoni mbetet i prekshëm nga destabiliteti. Në maj, Beogradi dërgoi trupa në kufirin jugor të tij me Kosovën pas përleshjeve mes policisë dhe serbëve etnikë. Ka pasur frikë në kryqytetetin e BE-së që Serbia do të pushtonte, duke çuar në një përsëritje të luftës së Kosovës më 1998-1999”, ka shkruar Geri.
Analisti i NATO’s thotë se ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian në dialogun për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “ka prodhuar pak rezultate”.
“…Sepse (BE-së) i mungon një qëndrim koherenet dhe konsistent”, ka shkruar mes tjerash ai.
“Anëtarët variojnë nga pesë vendet që refuzojnë të njohin pavarësinë (Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia) deri tek ato që besojnë se Serbia thjesht duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës me pak lëshime nga Prishtina (më e dukshme në pozicionin e Gjermanisë). Komisioni Evropian është përpjekur të ecë në një vijë të mesme që mund të lexohet vetëm si e paqartë. Ndërkohë, anëtarët lihen të lirë të shprehin qëndrimet e tyre në publik, duke i dërguar mesazhe të tjera të përziera Beogradit dhe Prishtinës për pozicionin e përgjithshëm të BE-së”, ka shkruar ai.