Sjellje të vogla, të përsëritura çdo ditë, krijojnë distancë emocionale më shpejt se konfliktet e mëdha – ekspertët shpjegojnë pse dhe si mund t’i ndryshojmë
Shumë prej nesh janë pyetur të paktën një herë pse disa marrëdhënie veniten ngadalë, pse miqësitë nuk zgjasin pavarësisht qëllimeve të mira dhe pse ndonjëherë ndihemi të vetmuar edhe mes njerëzve që i duam. Shpesh arsyeja është shumë e thjeshtë. Modelet tona të sjelljes, të formuara ndër vite, krijojnë ngadalë dhe në heshtje distancë mes nesh dhe të tjerëve.
Lajmi i mirë është se, sapo t’i bëjmë të vetëdijshme, mund t’i ndryshojmë. Dhe pikërisht atëherë fillojmë të shohim se si marrëdhëniet rreth nesh shërohen, bëhen më të sinqerta dhe më të ngrohta.
Këto janë zakonet që shumë prej nesh i bartin për vite me radhë, pa e ditur se krijojnë çarje në marrëdhënie.
1) Mbajtja e një “liste borxhesh” mendore
Kur fillojmë të mbajmë një listë të padukshme për atë çfarë ka bërë dikush për ne dhe çfarë presim ne në këmbim, marrëdhëniet humbin spontanitetin. Kjo qasje rrallë është e qëllimshme. Shpesh vjen nga ndjenja se duhet të luftojmë për vendin tonë, sidomos nëse jemi rritur në një mjedis ku dashuria dhe vëmendja maten me sjellje.
Në vend të ekuilibrit, krijojmë presion. Njerëzit e vërejnë kur presim kthim të barabartë të “shërbimit”. Atëherë ata tërhiqen, sepse marrëdhënia nuk duket më e sinqertë. Kur ndalojmë së numëruari, hapim derën e afërsisë së pastër – asaj pa kushte.
2) Dhënia e këshillave në vend të dëgjimit
Shumë prej nesh janë mësuar të zgjidhin probleme, sidomos nëse për vite kemi pasur punë të vështira ose rolin e “shtyllës së shtëpisë”. Prandaj shpesh, kur dikush na hap zemrën, ne menjëherë ofrojmë zgjidhje.
Por shumica e njerëzve nuk kërkojnë ekspertizë, kërkojnë mirëkuptim. Kur i lejojmë dikujt të flasë pa e ndërprerë dhe pa i dhënë këshilla të menjëhershme, ndjenja e afërsisë rritet. Dëgjimi është mjet i heshtur, por jashtëzakonisht i fuqishëm lidhjeje.
3) Tërheqja kur bëhet e vështirë
Kur ndihemi të pambrojtur, të turpëruar ose të lënduar, shpesh bëjmë një hap prapa. I ndalojmë vetes emocionet dhe, bashkë me veten, izolojmë edhe të tjerët. Kjo ndodh shpesh tek ata që janë rritur me mesazhe si: “Mos trego dobësi” ose “Ja dil vetë”.
Por në të vërtetë, cenueshmëria afron njerëzit. Kur ndajmë një pjesë të luftës sonë të brendshme, njerëzit nuk largohen. Ata japin dorë. Shumë marrëdhënie bëhen më të thella pikërisht kur guxojmë të tregojmë se nuk jemi mirë.
4) Mospasja e pranisë së vërtetë në momentet e rëndësishme për të tjerët
Nuk mjafton të jemi të pranishëm fizikisht. Duhet të jemi të pranishëm edhe emocionalisht. Nëse shpesh vonohemi, shikojmë telefonin, mendojmë për punët ose shqetësimet tona ndërsa dikush na flet për diçka të rëndësishme për të, ne dërgojmë mesazh se nuk jemi aty, edhe kur jemi fizikisht.
Shumë njerëz e kuptojnë shumë vonë sa momente kanë humbur duke rendur nëpër jetë. Kur fillojmë t’u kushtojmë vëmendje të plotë atyre që duam, marrëdhëniet fitojnë cilësi që nuk zëvendësohet në asnjë mënyrë tjetër
5) Refuzimi i komplimenteve dhe nënvlerësimi i vetes
Shumë prej nesh janë mësuar se modesti është virtyt. Por kur teprojmë, modestia kthehet në pengesë të afërsisë. Nëse dikush na shpreh mirënjohje, e ne e hedhim poshtë menjëherë, sikur i themi se ndjenja e tij nuk është e rëndësishme ose e sinqertë.