Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar ciklin e konsultimeve me subjektet politike, në kuadër të diskutimeve për zgjedhjet e mundshme parlamentare dhe situatën aktuale politike në vend.
Në këtë kuadër, ai priti përfaqësuesit e Alternativës për Ndryshim nga Bujanoci, të udhëhequr nga kryetari i komunës, Arber Pajaziti.
Pas takimit, Pajaziti deklaroi se në fokus të bisedës kanë qenë çështje të rëndësishme për qytetarët e Bujanocit, veçanërisht investimet në projekte infrastrukturore, zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i kushteve të jetesës. Ai bëri të ditur se nga presidenti ka marrë premtime për nisjen e disa projekteve konkrete në komunë në një afat të afërt.
Ndërsa, në postimin e tij në facebook, Pajaziti shkruan se në takim janë ngritur edhe çështje si pasivizimi i adresave, nevoja për rikthimin e tyre, mbështetja për projekte konkrete si furnizimi me ujë të pijshëm dhe rinovimi i dy shkollave shqipe në komunë si dhe kërkesën për hapjen e konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Bujanoc.
Mediat serbe e kanë raportuar takimin në mënyrë më të përmbledhur, duke u fokusuar në investimet infrastrukturore, integrimin e shqiptarëve dhe propozimin për konsullatën e Shqipërisë. Në këto raportime nuk përmenden disa nga çështjet që Pajaziti i ka renditur më vonë në Facebook, si pasivizimi i adresave apo kërkesa të tjera specifike, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme mbi atë që realisht është diskutuar në takim me Aleksandar Vuçiq.
Ndërkohë, njoftimi zyrtar i Presidencës së Serbisë për këtë takim ishte më i shkurtër, duke theksuar vetëm vazhdimin e konsultimeve me përfaqësues politikë, pa hyrë në detaje konkrete të diskutimeve.
Këto dallime në komunikim tregojnë se takimi është paraqitur në mënyra të ndryshme nga palët, duke reflektuar fokusin e tyre politik dhe institucional, ndërsa në thelb mbetet pjesë e procesit më të gjerë të konsultimeve për zhvillimet e ardhshme politike dhe zgjedhore në Serbi./SPektri