Gogiq thotë se, në teori, është e mundur që Shtetet e Bashkuara të vendosin sanksione individuale ndaj personave që “ua komplikojnë gjërat në Ballkan”.
“Për Kosovën, një ndëshkim i mjaftueshëm është edhe fakti që SHBA-ja po e zvogëlon interesimin për këtë vend. Kosova vështirë se mund të funksionojë pa mbështetjen e SHBA-së”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.
Ai kujton se SHBA-ja, para zgjedhjeve lokale në Kosovë, e ka paralajmëruar Lëvizjen Vetëvendosje, të udhëhequr nga Kurti, që të mos përpiqet ta eliminojë Listën Serbe nga gara zgjedhore.
Vetëvendosja ka tentuar katër herë gjatë këtij viti që ta pengojë atë të marrë pjesë në zgjedhje – gjë që ka nxitur kritika të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare.
“Kosova vepron në kundërshtim me atë që thonë amerikanët, sikur me inat… Përveç faktit që amerikanët i kanë kritikuar të gjitha këto veprime, SHBA-ja edhe e ka humbur interesimin për këtë rajon – përfshirë edhe Kosovën. Kur Kosova nuk është strategjikisht e rëndësishme për amerikanët – e megjithatë pa arsye krijohen probleme – kjo ua shton atyre barrën. Prandaj, këto marrëdhënie janë mjaft të dëmtuara”, vlerëson Gogiq, duke shtuar se tani do të jetë e vështirë për Kosovën t’i përmirësojë ato.
Në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kosova përmendet vetëm në kapitullin e “parimeve” si një nga sukseset e presidentit amerikan, Donald Trump, në arritjen e paqes mes saj dhe Serbisë.
Por, në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare theksohet se Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një “hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit midis dy vendeve” dhe bëhet thirrje për zbatimin e saj.
Po ashtu, theksohet se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, bazuar në njohjen reciproke.
A është Lista Serbe pengesë në marrëdhëniet me SHBA-në?
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për televizionin lokal, Kanal 10, se Qeveria e tij nuk mund ta shpallë Listën Serbe organizatë terroriste, sepse këtë duhet ta bëjnë organet e drejtësisë.
Ai beson se ka bazë për një veprim të tillë, pasi Lista Serbe kurrë nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj, Millan Radoiçiq, i cili e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – në shtator të vitit 2023.
Një polic është vrarë në këtë sulm, ndërsa në përleshjet e armatosura që kanë pasuar janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kurti ka kujtuar se organizatat serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur terroriste, por se partnerët perëndimorë, sipas tij, kanë refuzuar t’i shpallin të tilla.
Muhaxhiri thekson se Lista Serbe nuk mund t’i përcaktojë vetë marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së apo vendeve të tjera perëndimore.
Sipas tij, ajo shërben më shumë si “mbulesë për të larguar vëmendjen nga problemet reale që fshihen nën këtë diskurs”.
“Është mirë e ditur beteja e Kurtit ndaj Listës Serbe që është kryesisht performative dhe simbolike, sepse i mungojnë të gjitha elementet e nevojshme të seriozitetit institucional. Të gjitha këto shërbejnë vetëm për të mobilizuar pjesën më radikale të elektoratit të tij, sidomos në realitetin virtual të rrjeteve sociale. Nëse ideja e tij do të ishte reale, qasja do të ishte krejtësisht ndryshe”, vlerëson Muhaxhiri.
Ai përfundon se të gjitha veprimet e Kurtit ndaj Listës Serbe apo Beogradit hyjnë në kuadrin e “lojërave politike propagandistike” dhe se ndikimi i tyre do të mbetet vetëm në këtë nivel.