Abdixhiku publikon listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar listën e kandidatëve me të cilën subjekti i tij synon t’i fitojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke e cilësuar atë si “listën e shpresës”.

Në një adresim publik, Abdixhiku tha se kjo listë përfaqëson njerëzit që besojnë në shtet, ligj, meritokraci dhe në të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

Sipas tij, ekipi i paraqitur bashkon përvojën dhe profesionalizmin me energjinë e një gjenerate të re që kërkon ndryshim të vërtetë.

“Kjo është lista e të ardhmes sonë. Një kombinim i njerëzve të dëshmuar në profesionet e tyre, aktivistëve të palodhur të LDK-së, gjeneratës së re që kërkon hapësirë e përgjegjësi, dhe figurave që kanë ndërtuar institucione, ekonomi, arsim e siguri. Çdo emër në këtë listë qëndron mbi vlera; integritet, besim dhe shërbim ndaj qytetarëve,” shkroi Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK synon ta kthejë vendin në normalitet dhe t’u rikthejë institucioneve stabilitetin, ekonomisë zhvillimin dhe qytetarëve dinjitetin, duke hyrë në garë “me qetësi, me dije dhe me përkushtim”.