Adrola Dushi në lidhje sekrete me Capital T

Trim Ademi, i njohur si Capital T, dhe Adrola Dushi janë vënë sërish në qendër të vëmendjes këto ditë dhe shkak janë bërë disa foto që duken se janë shkrepur në të njëjtin vend.

Disa ditë më parë, reperi publikoi në rrjetet sociale foto nga pushimet e tij në Maldives, ku festoi edhe ditëlindjen e 29-të. Por, duket se nuk paska qenë vetëm.

Kjo, pasi modelja e njohur ka postuar ditën e sotme një foto të sajën me pamje nga deti pa zbuluar destinacionin. Mirëpo, fansat e kanë krahasuar me disa foto të artistit, nga ku dallohet se janë në vend të njëjtë.

Me të dalluar këtë detaj, fansat kanë nisur të komentojnë në foton e modeles, duke shkruar “Ku është Kapo”, apo “Më trego që ke qenë në Maldive me Kapon pa më treguar që ke qenë në Maldive me Kapon”.

Deri tani nuk ka asnjë reagim nga Adrola, teksa kjo nuk është hera e parë që fansat vënë re se ajo dhe Capitali kanë shkuar në destinacione të njëjta.

Disa muaj më parë, ata postuan foto në rrjetet sociale nga Turqia, teksa modelja kishte veshur edhe një xhaketë të këngëtarit. Historia e tyre po mbahet sekret, nisur nga reagimet e shumta që pati në rrjet kur në verë Capitali ndau një foto pranë Adrolës dhe shiheshin shumë të afërt me njëri-tjetrin.

Në korrik 2020, reperi Capital T dhe modelja Adrola Dushi, të dy shumë të përfolur për jetën e tyre private, u fotografuan së bashku dhe njerëzit online nisën me komentet. Për më tepër, reperi e shoqëroi foton me një zemër, duke i bërë të gjithë të dyshonin. Menjëherë fansat vërshuan me komente duke u shfaqur të bindur se ata janë në një lidhje.

Marrëdhënia e tyre e afërt u pa dhe ditëlindjen e modeles, ku Capital T ishte i pranishëm. Nëna e një djali nga martesa me Adis Patushin, për dashurinë ka lënë karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, para dy vitesh e pamë në skenë në rolin e prezantueses si partnerja e Ardit Gjebreas në tri netët finale të “Këngës Magjike”.

Vajza nga Rrësheni me bukuri të spikatur, arriti të prekte botën e modës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në sajë të mbështetjes që i dha fotografi me famë botërore, Fadil Berisha.

Por deri në pozitat e modeles apo fotomodeles, Adrola ishte vajza e bukur, por u desh vetëm një skenë e madhe si ajo e Pallatit të Kongreseve, që Adrola të hapte gojën dhe magjia të prishej, eksperiencë për të cilën fansat i kërkuan të mos e provojë më.

Nga ana tjetër, Capital T, artisti pas të cilit çmenden të gjithë, ka qenë një nga personazhet publikë që jetën e tij private ka preferuar gjithnjë ta mbajë larg mediave rozë.

Por i ftuar në emisionin “Shiko kush Luan”, teksa është bërë pjesë e disa prej lojërave, ai zbuloi më shumë detaje nga jeta e tij private, duke treguar se është në një lidhje dashurie.

Një nga këngët e tij, e cila u bë edhe pyetje në këtë puntatë është “Mi amor”, e për këtë titull “detyra” e Capital T ishte: “Bëji një dedikim dashurie “Mi Amor-it tënd” sot nëpërmjet kameras”.

”T’du mas shumti, je ma e mira n’botë”, ishte përgjigjja e Capital, i cili nuk ka preferuar të zbulojë më shumë duke lënë enigmë emrin e vajzës dhe imazhin e saj. Por edhe pse ata po përpiqen ta mbajnë të fshehtë, prej muajsh po përfliten për një lidhje.

Kur reperi publikoi këngën “C’est la vie”, u zbulua se Adrola ishte edhe pjesë e videoklipit, që do të thotë se ajo është xheloze për praninë e vajzave të tjera në klipet e tij. Së fundmi, në një video të publikuar nga Capitali në “Instagram”, një ndër ndjekësit i ka shkruar: “Kapo dhe Adrola janë në lidhje. Kapo e ka kaluar javën e fundit në pushime afër Tiranës dhe në Tiranë ku është parë së bashku me Adrolën, p.sh. në Uka farm. Në Kep Merli të dy njihen prej kohësh, dhe ku dëshmohet se ata janë më shumë se miq”.

Ndërsa reperi i ka kthyer një përgjigje të papritur, duke i futur fansat në dilemë edhe më shumë. “Unë jam playboy”, i është përgjigjur ai.

A ishte ky një konfirmim se si “playboy” që është mund ta shohim me disa vajza paralelisht, apo kjo ishte një përgjigje sa për të konfuzuar dëshmitarët okularë që i kanë parë bashkë kudo.