Albin Kurti për rastin “Panda”: Serbia vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serbë edhe pas një çerekshekulli

“Shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjëve serb edhe pas një ҫerek shekulli. Sikurse vazhdon të mos pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99. Kjo heshtje flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Republikës së Kosovës. Dëshmon për lidhjen e ngushtë mes mosnjohjes të së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohjes së pavarësisë sonë”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar me rastin e 25-vjetorit të sulmit terrorist të Serbisë në lokalin “Panda” në Pejë, duke thënë se ky rast flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Republikës së Kosovës dhe se dëshmon për lidhjen e ngushtë në mes të mosnjohjes të së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohjes së pavarësisë së këtij vendi.

Ai ka thënë se më 14 dhjetor 1998, autoritetet serbe inskenuan vrasjen e të rinjve serbë në kafiterinë “Panda” në Pejë, me ç’rast Serbia vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë.

“Më 14 dhjetor 1998, autoritetet serbe inskenuan vrasjen e të rinjëve serb në kafiterinë “Panda” në Pejë. Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se pas këtij rasti, më shumë se 150 shqiptarë u arrestuan në Pejë.

“Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishe 22 vjeç, ndërsa më i riu 17. Ata u burgosën në Pejë, ku u torturuan në mënyra ҫnjerëzore. Në qershor 1999, me rreth 400 të burgosur të tjerë, u dërguan në burg në Leskovc të Serbisë”.

Kurti ka thënë se pastaj në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të gjashtit të pafajshëm.

“Ata u dënuan me nga një vit burg për shkelje të rendit publik. Një muaj më pas, me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare, pesë nga ta u liruan. Behar Bajri u mbajt në burg deri më 6 dhjetor 2000”.

Sipas Kurtit, përderisa të rinjtë shqiptarë të burgosur padrejtësisht ende i vuajnë pasojat e torturave brenda burgjeve serbe, në Serbi ende askush nuk është dënuar për këtë rast.

“Prindërit e të vrarëve kanë kërkuar që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dëshmojë lidhur me deklaratat e tij. Ai kishte thënë se “krimi në “Panda” nuk është bërë nga shqiptarët”. Shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjëve serb edhe pas një ҫerek shekulli. Sikurse vazhdon të mos pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99”, ka shkruar ai tutje.

Ndryshe, mbrëmjen e 14 dhjetorit të vitit 1998, Svetisllav ishte bashkë me shokët e tij, kur, rreth orës 20:00, dy persona të maskuar hynë në kafene dhe gjuajtën me breshëri plumbash mbi ata që ishin brenda.

Të vrarë në vend mbetën: Ivan Radeviq, 25 vjeç, Ivan Obradoviq, 14 vjeç, Vukota Gvozdenoviq, 16 vjeç, dhe Dragan Trifoviq, 17 vjeç.

Po atë natë, si pasojë e plagëve të marra, në spital vdiqën: Svetisllav Ristiq, 18 vjeç, dhe Zoran Stanojeviq, 17 vjeç.

Kafeneja “Panda” ishte biznes familjar i Suad Shaboviqit, i cili jetonte shumë pranë lokalit.