ANEM alarmon për dhunë ndaj gazetarëve në Novi Sad dhe kërcënime brutale në Surdulicë

Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike (ANEM) ka reaguar ashpër pas sulmeve fizike ndaj gazetarëve në Novi Sad dhe kërcënimeve serioze me telefon ndaj gazetarëve në jug të Serbisë, duke kërkuar reagim urgjent nga organet e drejtësisë.

Sipas reagimit të ANEM-it, një grup gazetaresh dhe gazetarësh, të identifikuar qartë me jelekë mediatikë, janë sulmuar fizikisht gjatë raportimit nga protesta para Teatrit Kombëtar Serb në Novi Sad. Gazetari i portalit Razglas njuz, Zharko Bogosavljeviq, është penguar të xhirojë dhe është shtyrë me forcë drejt një muri, ku është goditur me grushte, ndërsa sulmuesit kanë tentuar t’ia marrin telefonin dhe e kanë shkelur ndërsa ndodhej në tokë.

ANEM njofton se gjatë incidentit janë shtyrë edhe gazetarja Brankica Matiq nga portali Storyteller dhe Milica Stevanoviq, bashkëpunëtore e “Univerzitetski odjek”, ndërsa është penguar edhe ekipi i televizionit N1. Sulmi ndodhi pasi gazetarët kishin filmuar një sulm të dhunshëm ndaj studentëve, të cilët mbetën të lënduar.

Rasti është raportuar në prokurori dhe në video-incizime, sipas ANEM-it, shihen qartë fytyrat e disa sulmuesve, të cilët tashmë janë identifikuar. Organizata kërkon arrestim dhe procedim të menjëhershëm të tyre.

Në reagim theksohet se gazetarët në Novi Sad po bëhen gjithnjë e më shpesh shënjestër e sulmeve gjatë protestave, ndërsa kërkohet efikasitet më i madh nga prokuroria në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj mediave.

Ndërkohë, ANEM ka denoncuar edhe kërcënime brutale me telefon ndaj redaktorit të portalit InfoVranjske, Mihajlo Stojkoviq, pas raportimit për fyerjet dhe kërcënimet ndaj gazetares Dejana Cvetkoviq gjatë protestës në Surdulicë. Sipas njoftimit, një person i panjohur ka përdorur gjuhë fyese dhe ka bërë kërcënime të rënda ndaj familjes së gazetarëve, duke përmendur edhe dhunë ndaj fëmijës.

Rasti është raportuar në polici dhe prokurori, me kërkesë për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorit.

Koordinatori i linjës së sigurisë për gazetarët në kuadër të ANEM-it, Veran Matiq, ka kërkuar që sulmet fizike, kërcënimet dhe pengimet në punën e gazetarëve të procesohen sa më shpejt, duke theksuar se gazetarët kanë raportuar në mënyrë profesionale dhe me solidaritet të ndërsjellë pavarësisht rrethanave të rrezikshme.

Projekti për mbrojtjen e gazetarëve realizohet nga ANEM në partneritet me Insajder TV dhe Qendrën për Zhvillimin e Mediave Lokale, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Misionit të OSBE-së në Serbi.

Në vijim gjendet edhe video-incizimi i sulmit të realizuar nga gazetari Zharko Bogosavljeviq, i cili mund të përdoret nga mediat.