Deputeti popullor Shaip Kamberi ka bërë të ditur se, me ftesë të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, Bardhyl Canaj, ka marrë pjesë në një drekë pune në kryeqytetin serb, së bashku me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe bashkëpunëtorë.
Sipas njoftimit të tij, takimi u zhvillua në kuadër të bashkërendimit dhe koordinimit të vazhdueshëm me përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë, ku në një atmosferë vëllazërore u diskutuan temat që lidhen me pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kamberi theksoi se gjatë bisedës është rënë dakord për intensifikimin e takimeve dhe të bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, me synimin për të vazhduar avokimin për të drejtat dhe çështjet e shqiptarëve në këtë rajon.
Ai nënvizoi gjithashtu se qëndrimet dhe kërkesat e artikuluara ndër vite janë në harmoni me vlerat fundamentale të Bashkimit Evropian, duke shtuar se këto parime gjejnë mbështetje edhe nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd.