Arabia sulm total në Itali, nga sezoni i ardhshëm “rrëmbejnë” trajnerë dhe shumë lojtarë

Merkato e klubeve të Arabisë Saudite nuk do të ndalet. Edhe në verën e ardhshme, arabët do të tentojnë goditje të bujshme dhe të transferojnë në Lindjen e Mesme emra prestigjiozë në përpjekje për të rritur gjithnjë e më shumë imazhin drejt objektivit të tyre për të fituar të drejtat e organizimit të Kupës së Botës në vitin 2034.

Në shënjestrën e arabëve është Serie A dhe personazhet kryesorë të saj. Trajnerë dhe shumë lojtarë prestigjiozë. Kështu, pas Roberto Mancinit që la kombëtaren e Italisë për të drejtuar atë të Arabisë Saudite, pritet që edhe Mauricio Sarri e Jose Mourinho të ndjekin rrugën e 58-vjeçarit. Lojtarët në fokus janë Ciro Immobile, Paulo Dybala si dhe Romelu Lukaku.

Treshja në fakt u tentua nga klubet arabe edhe në merkaton e fundit, por në verën e ardhshme arabët do të kthehen më të bindur se kurrë ndërsa në listën e tyre së fundmi janë shtuar edhe Adrien Rabiot e Christian Pulisic.

Me paratë që ofrojnë arabët, vështirë se klubet italiane dhe vetë protagonistët të rezistojnë dhe me shumë mundësi do t’iu bashkohen yjeve të tjerë në Lindjen e Mesme si Cristiano Ronaldo, Neymar, Benzema, Gabri Veiga, Milinkovic-Savic apo Koulibaly.