Arion Kurtaj që hakoi lojën GTA dënohet me qëndrim të përjetshëm në spital

Një adoleshent që vodhi 90 klipe të lojës së papublikuar Grand Theft Auto 6 si pjesë e një hakimi, është dënuar me një urdhër të pacaktuar qëndrimi në spital.

Arion Kurtaj, 18-vjeç nga Oksfordi i Britanisë së Madhe, i cili është autik, u lirua me kusht për hakimin e firmës së softuerit “Nvidia” dhe BT/EE dhe gjithashtu në mbrojtje të policisë në një hotel në Travelodge kur vazhdoi hakimin e tij dhe iu qas “Rockstar Games”, kompaninë që qëndron pas GTA, u tha në gjykatë, raporton “The Guardian”.

Pavarësisht se i konfiskuan laptopin, Kurtaj kreu sulmin e tij kibernetik duke përdorur një “Amazon Firestick”, televizorin e hotelit dhe një telefon celular. Ai hyri në sistemin e brendshëm të mesazheve “Slack” të kompanisë për të deklaruar: “Nëse Rockstar nuk më kontakton në Telegram brenda 24 orëve, unë do të filloj të publikoj kodin burimor”.

Kurtaj, nga Oksfordi dhe pjesë e grupit të hakerëve “Lapsus$”, postoi klipet dhe kodin burimor në një forum. Ai do të qëndrojë në një spital të sigurt për jetën, përveç nëse mjekët e konsiderojnë atë jo më një rrezik, dëgjoi të enjten gjykata e kurorës në Southwark.

Rasti ka bërë që policia e qytetit të Londrës të këshillojë prindërit që të jenë të vetëdijshëm për përdorimin e internetit nga fëmijët e tyre.

Gjykata dëgjoi se Kurtaj kishte qenë i dhunshëm gjatë qëndrimit në paraburgim, me dhjetëra raportime për plagosje apo dëmtime materiale. Mjekët e konsideruan atë të papërshtatshëm për t’u gjykuar për shkak të autizmit të tij akut dhe jurisë iu kërkua të përcaktonte nëse ai i kreu apo jo aktet e supozuara, jo nëse e bëri këtë me qëllim kriminal.

Një vlerësim i shëndetit mendor i përdorur si pjesë e seancës dëgjimore tha se ai “vazhdoi të shprehte synimin për t’iu kthyer krimit kibernetik sa më shpejt të jetë e mundur”, duke shtuar: “Ai është shumë i motivuar”.

Një tjetër anëtar i “Lapsus$”, i cili është 17 vjeç dhe nuk mund të përmendet emri për arsye ligjore, u shpall fajtor në të njëjtin gjyq për dy akuza për mashtrim, dy vepra penale të Aktit të Keqpërdorimit të Kompjuterit dhe një akuzë për shantazh.

Ai u dënua me një urdhër rehabilitimi të të rinjve në gjykatën e kurorës së Guildford në Surrey të enjten.

Sulmet kibernetike të bandës midis gushtit 2020 dhe shtatorit 2022 prekën një kompani telekomunikacioni, një prodhues të pjesëve kompjuterike, kompani lojërash dhe të tjera.

“Rockstar Games” i tha gjykatës se hakimi i kushtoi 5 milionë dollarë për t’u rikuperuar, përveç mijëra orëve të kohës së stafit.