Armët që siguroi Serbia në fshehtësi

A po hyn Ballkani Perëndimor në një garë armatimi dhe sa reale janë paralajmërimet për rritje të kapaciteteve ushtarake? Kjo ishte tema e emisionit Ura të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. Analistët e sigurisë, Nikolla Lluniq dhe Igor Tabak, diskutuan deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, modernizimin ushtarak të Kroacisë në kuadër të NATO-s, burimet e furnizimit me armë, si dhe armatimin që Serbia pranoi se e ka blerë në fshehtësi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi së voni se Serbia, brenda një viti e gjysmë, synon t’i dyfishojë kapacitetet e saj ushtarake. Por, sipas ekspertëve të sigurisë, kjo është më shumë një deklaratë politike, sesa një plan i realizueshëm.

Nikolla Lluniq, analist i sigurisë nga Beogradi, vlerëson se një objektiv i tillë është jorealist.

“Serbia tashmë ndan rreth 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për ushtrinë dhe vështirë se mund të shkojë përtej. Në fakt, pavarësisht investimeve të mëdha, fuqia reale ushtarake e vendeve të rajonit është në rënie”, thotë Lluniq për programin Ura të Radios Evropa e Lirë.

Serbia, prej vitesh, ndjek atë që autoritetet e quajnë një qasje “multivektoriale” në blerjen e armëve – nga Rusia dhe Kina, por edhe nga Perëndimi, veçanërisht Franca.

Edhe pse kjo i jep Beogradit fleksibilitet politik, ekspertët paralajmërojnë për probleme serioze teknike dhe logjistike.