Ekipi shqiptar nga Kosova, Bad News Eagles, së fundmi ka siguruar pjesëmarrjen në fazën tjetër të turneut më të madh të CS:GO, turne ky i cili po mbahet në qytetin Antwerp të Belgjikës dhe ndeshja e tyre e radhës do të jetë kundër një ekipi danez, i cili renditet në vendin e 14 për momentin në ranglistën botërore të CS:GO.
Ditën e shtunë, 14 maj, duke filluar nga ora 12:00, ekipi Bad News Eagles do të zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të fazës “Legends Stage” të PGL Antwerp Major CS:GO, kundër ekipit Copenhagen Flames, në formatin Bo1.
Të dyja ekipet janë përballur edhe më parë me njëra-tjetrën, në formatin ‘Bo3’ online ku tri ndeshjet e fundit i ka fituar ekipi shqiptar Bad News Eagles, transmeton Telegrafi.
Tani në fazën “Legends Stage” ekipet do të garojnë për një grup çmimesh rreth 1 milion dollarë, ku ekipi i cili arrin të fitoj tri ndeshje do të kaloj në fazën tjetër “Champions Stage”, ku ndeshjet do të zhvillohen me audiencë të drejtpërdrejtë në sallën e sporteve Antwerps Sportpaleis, ndërsa ekipi i cili humb tri ndeshje eliminohet nga turneu.
Ndeshjen e ekipit Bad News Eagles mund ta ndiqni ditën e shtunë, 14 maj, duke filluar nga ora 12:00, në kanalet e PGL në platformat Twitch dhe Youtube.