BE ndan 171 milionë euro për Ballkanin Perëndimor, Kosova mbetet jashtë fondeve

Komisioni Evropian ka njoftuar për mbështetje prej 171 milionë eurosh për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, nga këto fonde nuk do të përfitojë Kosova.

“Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi që ende nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet e këtij instrumenti. Ne shpresojmë se kjo çështje të zgjidhet shpejt”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier.

Nga kjo shumë e ndarë për nxitje të zhvillimit në Ballkanin Perëndimor, 94.7 milionë euro janë të dedikuara për investime infrastrukturore, 76.3 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat, ndërsa 2.9 milionë euro janë ndarë për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

Këto projekte janë të orientuara drejt përgatitjes së investimeve të ardhshme në sektorët e energjisë, furnizimit me ujë, inovacionit dhe kërkimit.

Sipas njoftimit të KE-së, fondet e ndara për projektet infrastrukturore pritet të mobilizojnë gjithsej 263 milionë euro investime përmes shtatë projekteve në sektorë me prioritet, përfshirë digjitalizimin, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Projektet përfshijnë vendosjen e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin dhe rinovimin efikas energjetik të objekteve arsimore në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.