Nga sot, Serbia funksionale në SEPA – pagesat në euro pritet të jenë më të shpejta

Nga 5 maji 2026, bankat në Serbi do të jenë plotësisht operative për kryerjen e pagesave në kuadër të sistemit SEPA, ka bërë të ditur Banka Popullore e Serbisë (NBS).

Ky zhvillim vjen pasi Serbia iu bashkua këtij sistemi vitin e kaluar, duke hapur rrugën për integrimin e bankave vendase në skemat evropiane të pagesave, fillimisht përmes sistemit SEPA Credit Transfer.

Sipas njoftimit, 18 banka komerciale dhe vetë banka qendrore janë tashmë të regjistruara zyrtarisht si pjesëmarrëse në këtë skemë dhe pritet që nga 5 maji qytetarët dhe bizneset të mund të kryejnë dhe pranojnë pagesa në euro në mënyrë më efikase.

Anëtarësimi në SEPA sjell disa përfitime të drejtpërdrejta si: Transaksione më të shpejta në euro, tarifa më të ulëta për pagesat ndërkombëtare, lehtësim të dërgesave nga diaspora, procedura më të thjeshta për bizneset që bashkëpunojnë me partnerë në Evropë.

Nga NBS bëhet e ditur se bankat në Serbi janë në fazën përfundimtare të përshtatjes teknike dhe organizative me standardet e SEPA, përfshirë sistemet e kliringut dhe tarifat e reja të shërbimeve.

Tarifat për pagesat SEPA pritet të jenë konkurruese me vendet e rajonit dhe dukshëm më të ulëta se kostot aktuale për transfere në euro.

Megjithatë, theksohet se disa transaksione do të realizohen përmes bankave ndërmjetëse jashtë vendit, çka mund të ndikojë në koston finale, për të cilën klientët do të informohen paraprakisht.

Aktualisht, bankat në Serbi do të operojnë me sistemin bazë të transfertave, ndërsa në fazat e ardhshme pritet edhe përfshirja në SEPA Instant Credit Transfer, që mundëson pagesa pothuajse të menjëhershme në euro.

Ndërkohë, pagesat në valuta të tjera dhe drejt vendeve jashtë zonës SEPA do të vazhdojnë të realizohen përmes sistemit SWIFT.

Sipas bankës qendrore, implementimi i SEPA mund të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik, duke rritur efikasitetin e tregtisë ndërkombëtare, përshpejtuar pagesat mes kompanive, përmirësuar rrjedhën e kapitalit nga dhe drejt Evropës.

Bankat pritet gjithashtu të informojnë aktivisht klientët për avantazhet dhe mënyrën e përdorimit të këtij sistemi të ri pagesash.