Bujanoci: Stabilitet politik, por jo edhe ekonomik

Shkruan: Lulzim Rashiti

Qeverisja e fundit lokale në Komunën e Bujanocit, e ndërtuar mbi bazën e një koalicioni me partitë me shumicë serbe dhe rome, si dhe një parti shqiptare në nivel lokal, është legjitimuar publikisht përmes narrativës së stabilitetit politik dhe bashkëpunimit ndëretnik.

Megjithatë, një analizë ekonomike dhe institucionale tregon se ky stabilitet ka mbetur kryesisht formal, pa u shndërruar në rezultate konkrete zhvillimore për komunën tonë.

Në nivelin e politikës lokale, problemi kryesor nuk është bashkëqeverisja si koncept, por mungesa e një agjende të qartë ekonomike komunale. Vendimmarrja buxhetore dhe planifikimi zhvillimor janë karakterizuar nga qasje reaktive, të fragmentuara dhe të kushtëzuara nga interesat politike brenda koalicionit, duke e zhvendosur fokusin nga interesat ekonomike dhe sociale të qytetarëve drejt ruajtjes së ekuilibrave politikë.

Një element tjetër shqetësues është se, përkundër retorikës së bashkëpunimit me nivelin qendror, Komuna e Bujanocit nuk ka arritur të kapitalizojë këtë pozitë përmes projekteve konkrete zhvillimore, përveç disa vizitave nga Beogradi që dukeshin më shumë për foto sesa për rezultate.

Gjatë dy viteve të fundit, janë paralajmëruar dhe përfolur disa iniciativa kyçe, të cilat ose kanë mbetur në fazë deklarative, ose nuk janë realizuar fare, përfshirë: Projekte për zhvillimin e zonave ekonomike lokale dhe hapësirave për bizneset e vogla dhe të mesme; Investime në infrastrukturë rrugore lokale dhe rurale, veçanërisht në zonat me shumicë shqiptare; Programe për punësimin e të rinjve dhe mbështetjen e ndërmarrësisë lokale; Projekte për përmirësimin e shërbimeve komunale (ujësjellës, kanalizim, menaxhim mbetjesh, ndërtim të qendrave të shërbimeve urgjente); Iniciativa për zhvillimin e arsimit profesional dhe trajnimeve, të lidhura me nevojat reale të tregut lokal.

Mungesa e realizimit të këtyre projekteve tregon një hendek të qartë midis premtimeve politike dhe kapaciteteve administrative, si dhe një mungesë të vullnetit ose kompetencës për ta trajtuar zhvillimin ekonomik si prioritet real.

Në vend të kësaj, diskursi publik i pushtetit lokal është zhvendosur shpesh drejt kritikave ndaj opozitës, të cilat, në mungesë të rezultateve konkrete, funksionojnë më shumë si mekanizëm për devijim të vëmendjes sesa si debat mbi politikat.

Nga këndvështrimi im akademik dhe profesional, kjo qasje përfaqëson një model të qeverisjes lokale ku menaxhimi politik zëvendëson performancën ekonomike.

Opozita shndërrohet në arsyetime, ndërsa qytetarët mbeten pa përgjigje për pyetjet themelore: ku janë investimet, ku janë vendet e punës dhe ku është përmirësimi i jetës së përditshme?

Dhe për fund, rasti i Komunës së Bujanocit dëshmon se bashkëqeverisja dhe stabiliteti politik nuk janë vlera në vetvete nëse nuk shoqërohen me kapacitet zhvillimore, transparencë të plotë dhe llogaridhënie ekonomike.

Pa vizion të qartë lokal dhe pa guxim për politika ekonomike të pavarura nga kalkulimet e koalicionit, qeverisja lokale rrezikon të mbetet administrim i varfërisë dhe jo motor i zhvillimit. Nëse ekonomia vazhdon të trajtohet si monedhë shkëmbimi për paqe politike, atëherë kostoja reale nuk do të jetë politike, por zhvillimore – dhe kjo kosto do të paguhet nga qytetarët, jo nga koalicioni.

Opinion i pavarur nga Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti

Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion janë personale dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë.