Daut Haradinaj heq dorë nga mandati i deputetit

Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hequr dorë nga mandati i deputetit, për t’i lënë vendin e tij kandidatit Shemsedin Dreshaj.

Haradinaj ka falënderuar të gjithë votuesit e tij, transmeton Telegrafi.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, votues të AAK-së. Dëshiroj të ju falënderoj për besimin e dhënë tash e sa mandate, besim të cilin jam munduar ta kryej me nder duke qenë zëri juaj në Kuvend.Tash ne rrethanat e reja që jemi, do heqë dorë nga ky mandat për t’i krijuar hapësirë Prof.Dr Shemsedin Dreshajt të jetë deputet, dhe për të pasur mundësi kohore që të jem më prezent nëpër komunat tona edhe për faktin se do kemi zgjedhje në këtë vjeshtë”, ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka shkruar “po ma kërkon struktura angazhimin në terren dhe nuk dua t’a bëj punën në terren në dëm të mandatit të popullit”.

“Kolegëve të mi ju dëshiroj suksese në këtë legjislaturë. Do jemi shumë më të konsoliduar dhe më të përgatitur këtë vjeshtë.Fituesit të këtyre zgjedhjeve ju uroj suksese”, thotë mes tjerash ai.

Ndryshe, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, AAK është radhitur partia e katërt, duke siguruar kështu tetë ulëse në Parlament. /Telegrafi/