Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bisedoi sot përmes një lidhje video me të dërguarin special të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Ata diskutuan për çështje rajonale, situatën e përgjithshme në lidhje me pandeminë COVID-19, masat për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe vazhdimin e dialogut me Kosovën, raporton N1.
Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu situatën e përgjithshme rajonale derisa presidenti serb deklaroi se biseda ishte si gjithmonë e hapur dhe kuptimplote.
“Ne kemi biseduar për shumë çështje të rëndësishme, si dhe të gjitha dallimet që ekzistojnë midis nesh”, tha Vuçiq, duke theksuar se një nga përparësitë e politikës së jashtme të Serbisë është gjetja e zgjidhjeve në të ardhmen që do të nënkuptojnë marrëdhënie bilaterale më të mira dhe më intensive midis Shtetet të Bashkuara dhe Serbisë, transmeton Telegrafi.
Zyrtari amerikan theksoi se një nga interesat prioritare të SHBA-së është pikërisht stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor dhe vlerësoi rolin konstruktiv të Serbisë në nismat rajonale, të tilla si “Mini-Shengeni” dhe projekte të shumta të infrastrukturës.
“Presidenti Vuçiq theksoi posaçërisht se Serbia do të vazhdojë të përpiqet për arritjen e një kompromisi të vërtetë dhe të qëndrueshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke mbrojtur interesat e serbëve atje, si dhe duke ruajtur shtetin dhe interesat kombëtare të Serbisë”, shkruan në deklaratën e Presidencës serbe.
Palmer theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe shtoi se ai pret që dialogu të vazhdojë së shpejti, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe duke rikonfirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për dialog dhe bisedime për çështje të diskutueshme.
Të dy bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu rëndësinë e lirive të mediave në rajon, situatën ekonomike, si dhe pasojat që ka lënë pandemia në ekonomitë e të gjitha vendeve, me theks në masat e rimëkëmbjes ekonomike, si dhe bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik midis Serbisë dhe Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/