Dyshimet për manipulim të votave në rajonin e Gjilanit, Prokuroria interviston komisionerët

Në rajonin e Gjilanit kanë nisur intervistimet lidhur me dyshimet për manipulime gjatë numërimit të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28.12.2025.

Kështu ka konfirmuar kryeprokruroi i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu.

“Kanë filluar intervistat lidhur me manipulimet e rezultateve zgjedhore në Regjionin e Gjilanit. Jemi ende në fillim të procesit”- ka thënë Kadriu për KALLXO.com.

Edhe në disa rajone të tjera të vendit janë kryer intervistime dhe arrestime të komisionerëve të dyshuar për manipulim me vota për zgjedhjet parlamentare.

Të dielën, më 01.02.2026, 43 kryesues ishin intervistuar në stacionet policore në Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.

Ndërsa të hënën, më 02.02.2026 Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për manipulim me vota në komunën e Podujevës.

Mëngjesin e 28 janarit, po ashtu kishte nisur aksioni i gjerë i Prokurorisë së Gjakovës rreth dyshimeve për falsifikim të rezultatit zgjedhor në Malishevë.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës me qëllim të grumbullimit të informatave dhe evidentimit të shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës në procesin e numërimit të votave edhe në Drenas.

Prokuroria ka bërë të ditur se duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura me datë 28.12.2025, ka vërejtur mospërputhje lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të procesit të rinumërimit në Komunën e Drenasit.

Krejt në fillim, po për shkak të manipulimit me vota në Prizren, janë lëshuar 109 vendime për ndalime 48 orëshe nga Prokuroria Themelore e Prizrenit. Ndaj 23 prej tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Vendimi për rinumërim, fillimisht KQZ e mori pasi janë shikuar videot nga kamerat në Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë ngritur dyshime se votat e kandidatëve për deputetë nuk janë shënuar në mënyrë të saktë në platformën zyrtare të KQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 19.01.2026, pati vendosur për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve në 28 komuna.

Rinumërimi i plotë i votave nga KQZ ka përfunduar dhe ky institucion më 31.01.2026 ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 28.12.2025.

Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër (nga Lëvizja Vetëvendosje), dhe anëtarët e tjerë kanë abstenuar.

Rinumërimi është kryer pas dyshimeve për manipulime me votat e kandidatëve për deputetë.

Përgjatë procesit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.