Ndër përballjet potencialisht më të ndërlikuara për Kosovën janë ato me Rumaninë. Të gjitha ndeshjet e mëparshme mes dy përfaqësueseve janë shoqëruar me tensione politike dhe sjellje fyese nga tifozët rumunë, përfshirë thirrje provokuese edhe në Prishtinë.
Edhe ndeshjet e kaluara me Ukrainën kanë pasur elemente ndjeshmërie politike, çka e bën grupin e Kosovës potencialisht shumë interesant dhe delikat.
Datat e ndeshjeve dhe fokusi aktual i Kosovës
Ndeshjet e fazës së ligës do të zhvillohen nga 24 shtatori deri më 17 nëntor, me nga dy ndeshje në shtator, tetor dhe nëntor.
Megjithatë, aktualisht i gjithë fokusi i Kosovës është te play-offi për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Më 26 mars, “Dardanët” luajnë ndaj Sllovakisë në Bratislavë në gjysmëfinale, ndërsa në rast fitoreje, më 31 mars do të përballen me Turqinë ose Rumaninë në finale.
Fituesi i finales siguron biletën për Botërorin 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ligë më lart se Sllovakia, konkurrencë më e fortë
Derisa Kosova do të garojë në Ligën B, Sllovakia mbetet në Ligën C, çka do të thotë se nuk mund të ketë përballje mes dy përfaqësueseve në Ligën e Kombeve.
Në Ligën B, ku do të garojë Kosova, ndodhen përfaqësuese shumë më të forta, duke e bërë këtë edicion një sfidë të madhe, por edhe një test real për nivelin e “Dardanëve”.