Një ditë historike për sportin dhe rininë shqiptare në Luginë të Preshevës!
Federata Shqiptare e Futbollit ka përfshirë komunat e Preshevës dhe Bujanocit në projektin madhor “Uniforma Ime”, duke bërë që për herë të parë fëmijët e këtyre trevave të përfitojnë në mënyrë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri, raporton Spektri.
Në ambientet e FSHF-së në Tiranë, sot është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka, dhe kryetarëve të komunave të Preshevës e Bujanocit, znj. Ardita Sinani dhe z. Arber Pajaziti.
Ky dokument historik hap një faqe të re në zhvillimin e futbollit shqiptar në Luginë.
Projekti “Uniforma Ime”, tashmë në vitin e tretë të zbatimit, synon të mbështesë klubet dhe akademitë që marrin pjesë në kampionatet zyrtare për grupmoshat U7–U19, duke shpërndarë uniforma falas për të gjithë fëmijët që luajnë futboll. Vetëm për sezonin 2025/2026, do të shpërndahen mbi 20,000 sete sportive për 204 klube dhe akademi në të gjithë hapësirën shqiptare.
Çdo set përfshin dy uniforma loje, një kostum sportiv dhe një çantë profesionale, duke krijuar kushte të barabarta për çdo të ri që ndjek ëndrrën e tij futbollistike.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi këtë marrëveshje si “një hap historik që e bën FSHF-në pjesë të Luginës dhe Luginën pjesë të FSHF-së”, duke theksuar se kjo është një ëndërr e kahmotshme që po bëhet realitet për shumë të rinj shqiptarë të kësaj ane. Ajo kujtoi me respekt edhe figurën e të ndjerit Hasan Kadriu, menaxherit të parë shqiptar në FIFA, duke e quajtur këtë bashkëpunim një vlerësim post mortem për kontributin e tij në futbollin shqiptar.
Ndërsa kryetari i Bujanocit, Arber Pajaziti, falënderoi Federatën Shqiptare të Futbollit për përfshirjen e Luginës në këtë nismë madhore, duke e parë atë si shenjë të qartë të përkushtimit të shtetit amë ndaj fëmijëve të Luginës dhe zhvillimit të sportit si mjet uniteti dhe përparimi shoqëror.
Ky bashkëpunim shënon një kapitull të ri për futbollin e Luginës së Preshevës, duke i dhënë fund izolimit sportiv dhe duke krijuar ura të forta bashkëpunimi me institucionet kombëtare shqiptare./Spektri

