Shërbesa e Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka njoftuar se kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, nuk është paraqitur për nënshkrimin e kontratës lidhur me financimin e projektit të revistës “Nacionali”, pavarësisht disa ftesave zyrtare.
Sipas njoftimit të publikuar nga Trupi Koordinues, ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj shërbese, Nenad Mitroviq, i ka dërguar katër ftesa zyrtare kryetarit të KKSh-së për nënshkrimin e marrëveshjes. Takimi i fundit ishte paraparë të mbahej më 28 tetor 2025 në Bujanoc, por Rexhepi – siç thuhet në komunikatë – nuk është paraqitur dhe as nuk ka dhënë përgjigje ndaj ofertës së shërbesës për t’i mundësuar transportin deri në Beograd për nënshkrimin e dokumentit.
Në buxhetin e Trupit Koordinues për vitin 2025 ishin paraparë 800.000 dinarë për këtë projekt, por meqenëse kontrata nuk është nënshkruar, këto mjete – sipas njoftimit – do të kthehen në buxhetin e Republikës së Serbisë.