Që atëherë, miliona njerëz janë zhvendosur, rreth 150 mijë janë vrarë dhe më shumë se 30 milionë njerëz tani kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare. Këto statistika të tmerrshme ende nuk e tregojnë plotësisht historinë e tragjedisë së Sudanit, shpërbërjen e shpejtë të vendit, shkatërrimin e infrastrukturës së tij apo mënyrën veçanërisht të pamëshirshme se si RSF-ja ka zhvilluar fushatën e saj në Darfur.
Me pushtimin e El Fasherit, RSF-ja ka konsoliduar pozicionin e saj në perëndim të vendit. Pasi mori kryeqytetin, Hartumin – në ditët e para të luftës më 2023 – RSF-ja më pas e humbi atë përballë ushtrisë dhe e përqendroi përpjekjen e saj në Darfur. Atje ajo ka shkaktuar hakmarrje mbi popullsitë jo-arabe, duke i shënjestruar ato për vrasje masive etnike. Më herët këtë vit, në një sulm mbi kampin më të madh të të zhvendosurve në Sudan, RSF-ja masakroi qindra civilë – sipas vijave etnike. Ajo që pret më tej El Fasherin, pas rënies së tij – një qytet që rezistoi kaq gjatë kundër RSF-së – është e paimagjinueshme. Videot që po dalin tregojnë vendasit që lusin milicët për jetën. Njërit një komandant i tha – përpara se të qëllohej – se askush nuk do të shpëtojë. “Kurrë nuk do të kem mëshirë për ju”, tha komandanti. “Puna jonë është vetëm vrasja”.
Dhe, gjithçka ishte e parashikuar dhe e parashikueshme. Paralajmërimet janë dhënë për muaj me radhë për rrezikun nga masakrat dhe mizoritë në masë. Një milion të zhvendosur nga Darfuri, duke ikur nga vatra të tjera konflikti, ishin përqendruar në El Fasher. Me përshkallëzimin e luftimeve, ata më pas u shpërndanë sërish ose mbetën të bllokuar. Është një skenar që jo vetëm që kujton ditët e para të gjenocidit në Ruandë, por edhe episodet e kaluara të gjenocidit në Darfur – 20 vjet më parë – vetëm se këtë herë më i përqendruar dhe më intensiv. RSF-ja e sotme është Xhanxhavidi i dikurshëm, por këtë herë i armatosur deri në dhëmbë, i mbështetur nga aleatë të fuqishëm të jashtëm dhe me një oreks të ripërtërirë për të spastruar edhe një herë popullsitë jo-arabe ndaj të cilave ka qenë armiqësor për dekada. Sot ata nuk vijnë më me deve apo kalë, por me makina 4×4 “teknikale” të pajisura me mitralozë dhe dronë të fuqishëm.
Ky arsenal, dhe për rrjedhojë katastrofa në El Fasher dhe në rajonin më të gjerë të Darfurit, sponsorizohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Si aleat i ngushtë historik i RSF-së (trupat e së cilës Emiratet i punësuan për të zhvilluar luftën e tyre në Jemen), Emiratet kanë derdhur fonde dhe armë në duart e RSF-së dhe, duke vepruar kështu, kanë zgjatur jetën dhe intensitetin e luftës në Sudan. Ata vazhdojnë ta mohojnë rolin e tyre, pavarësisht provave të mëdha. Në këmbim, Emiratet sigurojnë një bazë në një vend të madh, strategjik dhe të pasur me burime, dhe tashmë marrin shumicën e arit të nxjerrë nga zonat nën kontrollin e RSF-së. Akterë të tjerë janë përfshirë, duke vendosur agjenda përfaqësuese mbi një konflikt të brendshëm. Rezultati është një qorrsokak, baltinë dhe gjakderdhje që duket e pamundur të ndalet – edhe pse kriza po shpaloset para syve të të gjithëve.
Lufta e Sudanit përshkruhet si e harruar, por në të vërtetë ajo është toleruar dhe e shtyrë në plan të dytë. Sepse, të përballesh me tmerrin në Sudan do të thotë të shikosh në humnerën e politikës rajonale dhe globale. Do të thotë të shohësh rritjen e rolit imperialist në Afrikë dhe më tej të disa fuqive të Gjirit – dhe të pranosh faktin se nuk ka asnjë presion domethënës ndaj këtyre fuqive, përfshirë Emiratet, që të ndalojnë mbështetjen për një milici gjenocidale, sepse Mbretëria e Bashkuar, ShBA-ja dhe shtetet e tjera janë aleatë të ngushtë me këto shtete. Teksa RSF-ja rrethonte El Fasherin vitin e kaluar, burimet i thanë Guardian-it se zyrtarë të qeverisë britanike po punonin për të shtypur kritikën ndaj Emirateve në mesin e diplomatëve afrikanë. Javën e kaluar u zbulua se pajisjet ushtarake britanike, të përdorura nga RSF-ja, ishin gjetur në fushëbetejat në Sudan.
Në Sudan ka dy palë ushtarake që nuk mund të mposhtin vendosmërisht njëra-tjetrën. Në nivel global, politika e jashtme që dikur ishte rezultat i një përzierjeje të pragmatizmit diplomatik dhe palëve të ndjeshme ndaj presionit moral, tani është reduktuar në praktikën e zhveshur të shteteve të fuqishme që ndjekin interesat e tyre politike dhe ekonomike – ashtu siç u duket atyre më e përshtatshme. Shkalla dhe qartësia – krime të dukshme nga hapësira – e asaj që po ndodh në El Fasher dhe në rajonin më të gjerë të Darfurit, nuk lë vend për shtirje për mungesë të njohurive. Është përsëritje e asaj që kemi parë më parë dhe një kapitull i ri në një luftë që ka zgjatur mjaftueshëm sa të gjithë e dinë se çfarë po ndodh. Ata që kanë ndikim mbi Emiratet, dhe për rrjedhojë mbi RSF-në – por, që e lejojnë dhunën të kalojë pa reagim apo presion urgjent – i kanë duart me gjak. Shumica e popullsisë së El Fasherit është e bllokuar në një fushë vrasjesh. Çdo minutë ka rëndësi.Burimi: The Guardian