Aktivisti Rron Gjinovci ka deklaruar se, sipas një dokumenti të Prokuroria Speciale e Kosovës, është autorizuar hetim ndaj Shkëlzen Gashi, ndërsa sipas tij, njësitet e policisë kanë bastisur banesën e tij dhe e kanë shoqëruar për intervistim.
Gjinovci ka publikuar një status në Facebook, ku pretendon se Prokuroria Speciale ka autorizuar Drejtorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Krimit të Organizuar për të hetuar “ndryshimin e të vërtetës për luftën çlirimtare”.
Sipas deklarimit të tij, në dokumentin e publikuar thuhet se “Prokuroria Speciale ka hapur rast penal ndaj të dyshuarit Shkëlzen Gashi, i cili me veprimet e tij publike dyshohet se ka shkaktuar përçarje dhe mosdurim te qytetarët dhe duke dëmtuar e ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë”.
Tutje, në të njëjtin dokument, sipas Gjinovcit, kërkohet që të sigurohet prezenca e të dyshuarit Shkëlzen Gashi për intervistim, me qëllim sqarimin e veprimeve të tij dhe burimeve të informatave që ai ka publikuar, të cilat, sipas dokumentit, “duket të jenë të pavërteta”.
Në një status tjetër, Rron Gjinovci pretendon se njësitet e Drejtorisë së Krimeve të Rënda, me urdhëresë të Prokurorisë Speciale, kanë shkuar në banesën e Shkëlzen Gashi për bastisje.
Sipas tij, policia ka ndërmarrë veprime për mbledhjen e provave dhe për shoqërimin e Shkëlzen Gashi, i cili, siç thuhet në deklaratë, ndodhet nën shoqërim policor, por ende i paarrestuar.
Gjinovci e ka cilësuar këtë veprim si shqetësues, duke e përshkruar situatën si një veprim ndaj një individi për shkak të një ekspozite.
Dy ditë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka njoftuar se po përcjell me vëmendje informacionet lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës pas ekspozitës që sipas tyre paraqiste të dhëna të pasakta për masakrat e kryera gjatë luftës.