Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit

Gjykata Speciale ka marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Trupi gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka vendosur që edhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

Paraburgimi i është vazhduar edhe Rexhep Selimit.

Më 3 prill në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme në Speciale është paraqitur Shefqet Kabashi, i cili më herët ishte paraqitur në Hagë, në proceset gjyqësore kundër Fatmir Limajt e Ramush Haradinajt.