Gratë në politikë dhe rinia: Për një përfaqësim gjithëpërshirës

Marigona Shabiu, drejtore ekzekutive në YIHR

Në Kosovë, pjesëmarrja e grave në politikë shpesh paraqitet si një histori suksesi. Kuota gjinore prej 30 përqind, rritja e numrit të grave në Kuvend dhe prania e tyre në asamble komunale përmenden rregullisht si dëshmi e përparimit demokratik. Në legjislaturën e kaluar, gratë përbënin mbi një të tretën e deputetëve në Kuvend, një shifër që në letër e pozicionon Kosovën më mirë se shumë vende të rajonit. Megjithatë, përtej statistikave dhe deklaratave zyrtare, realiteti politik mbetet shumë më kompleks, sidomos kur kjo pjesëmarrje shihet nga perspektiva e rinisë dhe e grupeve të tjera të margjinalizuara.

Nga përvoja jonë shumëvjeçare në Youth Initiative for Human Rights – Kosovë (YIHR KS), është e qartë se përfaqësimi politik i grave nuk përkthehet automatikisht në një politikë që flet për të rinjtë dhe me të rinjtë. Të rejat dhe të rinjtë në Kosovë vazhdojnë ta perceptojnë politikën si një hapësirë të mbyllur, hierarkike dhe shpesh armiqësore ndaj mendimit kritik. Kjo ndjenjë distance është veçanërisht e theksuar te të rinjtë nga komunitetet joshumicë, te të rinjtë LGBTIQ+, te personat me aftësi të kufizuara dhe tek ata që jetojnë në varfëri apo zona të margjinalizuara. Për shumë të rinj, përfaqësimi i grave në institucione nuk shihet domosdoshmërisht si përfaqësim i interesave të tyre, veçanërisht kur politikat vazhdojnë të prodhohen pa një qasje gjithëpërfshirëse.