Janjiq: Serbia ta respektojë marrëveshjen

Analisti serb, Dushan Janjiq, ka thënë se ofrimi i njohjes de fakto është në kuadër të marrëveshjes së Ohrit, dhe se, sipas tij, “në kuptimin juridik dhe diplomatik, kjo nënkupton pezullimin e veprimeve për pengimin e njohjes së Kosovës”

Analistët në Beograd thonë se marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe ajo e Ohrit nënkuptojnë se Serbia e ka njohur Kosovën si shtet, por që këtë duhet ta pranojnë edhe institucionet e Serbisë.

Ata përmendin njohjen e dokumenteve dhe një sërë çështjesh të tjera, por thonë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po nguron ta pranojë.

Nga Serbia kërkohet dhënia e rezultateve në raport me Kosovën, që është njohja de facto.

Sipas njohësve të zhvillimeve, raporti vjetor i Komisionit Evropian ku kërkohet nga Serbia që t’i përmbushë obligimet në dialog, është në njëfarë mënyre thirrja për ta njohur sovranitetin e Kosovës.

“Ofrimi i njohjes de fakto është në kuadër të marrëveshjes së Ohrit. Në thelb, kjo do të thotë se Serbia e pranon se në realitet ekziston Republika e Kosovës dhe jo e ashtuquajtura Kosovë, madje as ajo me yll. Në kuptimin juridik dhe diplomatik, kjo nënkupton, siç shkruhet në marrëveshjen e shkurtit, pezullimi i veprimeve për pengimin e njohjes së Kosovës dhe krijimin e pengesave për Kosovën në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike./RTK