Komisioni Evropian e ka bërë hapin kyç për të mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave, duke miratuar në takimin e 23 tetorit agjendat e reformave për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.
Komisioni Evropian tha se e mori këtë vendim pasi shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë pëlqimin e tyre për këto agjenda, shkruan Evropa e Lirë.
Krahasuar për kokë banori, Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, pasi shteti do të përfitojë më shumë se 820 milionë euro.
Miratimi i agjendave të reformave është përshëndetur edhe nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.
“Jam e impresionuar me punën që kanë bërë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor në agjendat e tyre të reformave. Kjo dëshmon se ata janë të përkushtuar që të ketë sukses Plani i Rritjes. Ky është një udhërrëfyes i ynë për të afruar pranë nesh ekonomitë e Ballkanit Perëndimorë dhe për t’u mundësuar ndërmarrjeve të tyre qasjen dhe mjetet për të konkurruar në tregun tonë unik. Secili përfiton dhe është një hap i madh drejt BE-së”, deklaroi von der Leyen.