KFOR-i thotë se Policia e Kosovës është përgjegjëse për sundim të ligjit në veri

Pas zhvillimeve në fund të muajit maj në veri të Kosovës, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka folur për aktivitetet e këtij misioni në përgjithësi, e në veri në veçanti.

I pyetur rreth arrestimit të dy protestuesve të dhunshëm në veri pas protestave të 29 majit, ai ka thënë se KFOR-i nuk arreston, por Policia e Kosovës e cila tha se është përgjegjëse për sundimin e ligjit, raporton Klan Kosova.

“Po, sepse Policia e Kosovës është përgjegjëse për sundimin e ligjit dhe për zbatimin e sundimit të ligjit”, ka thënë Gallieni. “Gjatë protestës, dy persona po kryenin veprime ilegale apo veprime të dhunshme kundër trupave të KFOR-it, ata vetëm u ndaluan, dhe më pas ishte Policia e KFOR-it për t’i marrë ata dhe, nëse i kanë arrestuar, i kanë gjetur fajtorë për sjelljen e tyre. Por, KFOR-i nuk arreston, është Policia e KFOR-it përgjegjëse për këto veprime të ndërlidhura me sundimin e ligjit në Kosovë”, tha ai.

Ai po ashtu tha se nëse ka protestues të armatosur, ata duhet të arrestohen dhe se të njëjtit nuk janë nga popullata e zakonshme.

“Është detyrë primare e policisë së Kosovës, sepse është përgjegjëse për sundim të ligjit, për të ndërmarrë të gjitha veprimet për t’i gjetur këto grupe, dhe nëse ka ndonjë kriminel, të zbatojë ligjin. Por e dimë me siguri se nëse dikush merr pjesë në një protestë me mjete të improvizuara dhe armë, nuk është nga popullata e zakonshme”, tha ai.

Kujtojmë se më 29 maj, 30 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga përleshja me protestues të dhunshëm serbë që kishin dalë para tri objekteve komunale në veri të vendit në mënyrë që t’i pengojnë kryetarët e rinj për ta ushtruar detyrën e tyre. /Klankosova.tv