Me pranga në duar braktis Gjykatën avokati që mori 8 mijë euro për t’i korruptuar gjyqtarët

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj avokatit, Hamdi Jashari, i cili u arrestua dje nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Gjykatës bëjnë me dije se Jasharit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas Prokurorisë, Jashari pasi dyshohet se në cilësinë e avokatit mbrojtës të një pale ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8000 (tetë mijë) euro nga një palë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, me premtimin që këto para t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës së mbrojtur nga i pandehuri.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali