Konjufca: Dialogu Kosovë-Serbi është në gjendje të vështirë, nuk do ketë lëvizje pa drejtësi për Banjskën

“Qysh kthehet njëfarë lloj atmosfere minimale, minimale e mirëbesimit? Nuk po lyp diçka krejt të jashtëzakonshme, po po them minimale. Minimale e mirëbesimit është që kryesit e këtij akti terrorist në Banjskë, të cilët e vranë Afrim Bunjakun, këta duhet me përfundu në burg. Këta duhet me qenë prapa grilave. Këta nuk mund të jenë njerëz kryesorë në Serbi edhe dora e djathtë e Vuçiqit qysh janë sot, edhe qysh i shohim sot që veprojnë në Serbi. Kjo është elementare, kjo është bazike”- u shpreh ai për media më 16.04.2026.

Konjufca tha se gjithçka çka ka ndodhur pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit e ka pasur formën e sjelljes së qëllimshme destruktive të Serbisë për t’i rrënuar arritjet e bëra në dialog.

“Por ju e keni parë lojën e Vuçiqit. Në momentin që u kthye në Serbi, ia dha goditjen më të madhe kësaj marrëveshjeje. Dhe pas asaj goditjeje që ka ndodhur, i keni parë të gjitha, edhe organizimin e sulmit terrorist në Ibër-Lepenc për shkatërrimin e kanalit tonë dhe për krijimin e kaosit në Republikën e Kosovës”- u shpreh ai.

Ai tha se vëllezërit Viçentijeviq në procesin gjyqësor për shpërthimin në kanalin e “Ibër-Lepencit” kanë pranuar që janë trajnuar prej Serbisë, në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të ushtrisë që mbahen atje, prej nga ka hyrë edhe grupi i sulmit në Banjskë me Millan Radoiçiqin.

“Këta të dy e kanë pranuar që janë trajnuar prej Serbisë për këtë sulm. Çka po doni më shumë? Unë nuk e di çka ka nevojë më shumë për me tregu rolin destruktiv të Serbisë në gjithçka që ajo ka shkatërruar e që është munduar me u ndërtua edhe prej Bashkimit Europian, edhe prej mes nesh” – shtoi ai.

Se pse ai nuk ishte prezent në takimin me emisarin për dialogun, Peter Sorensenin, ai tha se mjafton që të jetë njëri: ose vetë ai ose kryeministri Albin Kurti.

“Sorensenin ndonjëherë e takoj, ndonjëherë nuk e takoj… Kësaj radhe e takoi kryeministri. Kur e takon kryeministri është e mjaftueshme. Ndoshta nuk do të ishte në rregull po të ishte e kundërta”- shtoi ai i pyetur në lidhje me takimin që u mbajt më 15.04.2026 mes Kurtit dhe Sorensenit në Prishtinë.

Në fotografitë e dërguara nga Zyra e Kryeministrit, në tavolinën e takimit shihet ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili nuk është më i ngarkuar me çështjen e dialogut. Kjo detyrë, në Qeverinë Kurti 3 i është besuar Glauk Konjufcës.

Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar për procesin e integrimit në BE, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme të Kosovës me BE-në.

“Në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave. Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës” – thuhet në njoftim.

Në mars të vitit 2026 u bënë tri vite që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 nene ndër të tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Megjithatë kjo marrëveshje ende ka mbetur e pazbatuar.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.
Ky proces fillimisht kishte nisur për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Ky proces kishte nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.