Koulibaly: Jorginho më bindi për t’iu bashkuar Chelseas

Lojtari më i ri i Chelseas, Kalidou Koulibaly, ka treguar se mesfushori, Jorginho, e kishte pyetur se a dëshiron t’i bashkohesh të kaltërve, duke qenë figura kryesore që e bindi për një lëvizje të tillë, por rol luajti sipas tij edhe Edouard Mendy.

Ish-mbrojtësi i Napolit, iu bashkua Chelseas pak ditë më parë, si një nga prurjet më të mëdha në këtë verë te londinezët.

Tani ylli senegalez ka bërë të ditur se rol kyç pati ish-bashëlojtari i tij te Napoli, Jorginho dhe bashkëlojtari i tij te Senegali, Mendy.

Çfarë thotë Koulibaly për influencën e Jorginhos?

“Jorgi më shkroi mua, dhe më pyeti se a dëshiron të vish në Chelsea. Në atë kohë, nuk isha i sigurt nëse Chelsea po më dëshironte në skuadër, i thashë se do ta kisha për nderë të vija. E njëjta ishe edhe me Mendyn. Ai më pyeti dhe i thash se tashmë është e kryer dhe do të shihemi së shpejti.”

“Tani jam këtu, jam shumë i lumtur të fillojë këtë udhëtim emocionues për mua. Skuadra duket mirë, me një përzierje të gjeneratës së re të talentuar dhe asaj me eksperiencë.”

Tuchel një tjetër faktor kyç në kalimin e Koulibalyt në Chelsea

Ylli i mbrojtjes së Senegalit, ka treguar se edhe trajneri gjerman i Chelseas, Thomas Tuchel luajti rol të madh për ta bindur atë që është pjesë e planit të tij. Ai e cilëson trajnerin si një njeri shumë të mirë.

“Është shumë e rëndësishme për mua që ai më thirri mua. Ai më tregoi se çfarë dëshiron nga unë dhe gjithçka që më tha ishte perfektë për mua që të vija në Chelsea. Jam shumë i lumtur që do të punojë nën urdhrat e tij.”

“E njoh atë që kur ishte në Paris, dhe më thirri direkt për të më pyetur se a do t’i bashkohem Chelseas dhe sigurisht se përgjigja ishte ‘PO’. Ai është njëri shumë i mirë, një trajner shumë i mirë, dhe tani jam duke shikuar përpara që të punojë me të.”

Kontrata me Chelsean

Meqë Koulibaly po shkonte drejt përfundimit të kontratës në verën e vitit të ardhshëm, Napoli nuk pati shumë rrugëdalje.

Aurelio De Laurentis u detyrua që ta shesë atë, pasi mbrojtësi senegalez e vlerësoi si të duhur të provuarit një aventurë të re.

Oferta e parë që bëri Chelsea ishte në vlerë prej 35 milionë eurove, e cila fillimisht u pa si modeste. Mirëpo, duke e konsideruar edhe vullnetin e lojtarit për t’u larguar, si dhe rrethanat tjera – Napoli pranoi ofertën e dytë, e cila ishte 38 milionë euro dhe 2 milionë euro tjera bonuse, për një total prej 40 milionë eurove.

Lojtari do të përfitojë një pagë të majme, thuajse dyfishin e asaj çfarë i kishte propozuar Napoli për ta rinovuar kontratën. Chelsea i ka ofruar atij pesë vite kontratë, me një pagë prej 10 milionë euro, si dhe bonuse tjera, të cilat varen nga paraqitjet dhe sukseset që do t’i ketë me fanellën e kaltër.