Kurti – komandantit të KFOR-it: Objektet e komunës janë pronë e Republikës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë komandatit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, se objektet e komunës janë pronë e Republikës, dhe se Policia e Kosovës është angazhuar që kryetarëve të komunave veriore t’u mundësohet hyrja në vendin e punës prej nga ata duhet.

Kurti u takua mesditën e së premtes me komandantin e KFOR-it në objektin e Qeverisë, pas tensioneve në komunat veriore.

“Liria e lëvizjes, sundimi i ligjit, siguria dhe mbrojtja, për të gjithë qytetarët, pa dallim bindjeve politike a prejardhjes, përkatësisë etni​ke apo fetare, në Republikën e Kosovës është prioritet dhe interes i të gjithëve. Institucionet e sigurisë duhet të bashkëpunojnë që të garantojnë një ambient të sigurt e të qetë për të gjithë. Kryeministri Kurti theksoi se kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

“Kurti e njoftoi komandantin Ristuccia se Policia e Kosovës është angazhuar që sipas detyrës zyrtare t’ua mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës prej nga ata duhet dhe do t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim e pa diskriminim. Kryeministri theksoi se objektet e komunës janë pronë e Republikës”, vijon njoftimi.

Në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë hyrë në objektet komunale të premten, një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.

Nga incidentet e sotme në veri, pesë policë janë lënduar, por më pas u janë kthyer detyrave policore. Ndërkohë, janë dëmtuar edhe katër automjete, përfshirë një i djegur. Është sulmuar edhe ekipi i KOHËS.

Departamenti i Shtetit ndërkohë ka thënë se situata e sotme do të ketë pasoja për raportet Kosovë – SHBA./Koha.net