Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë të hënën se është i interesuar që të diskutojë me subjektet politike për datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi të zhvilluar me kryetarin e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Kryetarët e partive tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë refuzuar ftesën për takim.
Mandati katërvjeçar i Qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se do t’i vazhdojë diskutimet në këtë drejtim edhe me partitë tjera opozitare.
“Për mua nuk është thelbësore se a do të qeveris në këtë mandat edhe 10 muaj, tetë apo gjashtë muaj apo tre muaj. Është e rëndësishme të kemi një konsensus sa më të gjerë për muajin, datën e zgjedhjeve”.
Megjithatë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të mbështesë “shpërbërjen e Parlamentit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit”.
“Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, ka thënë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
Kurti ka thënë se me Krasniqin kanë diskutuar edhe për rëndësinë e një komunikimi më të mirë në ditët në vijim, me qëllim të miratimit të 13 marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në pritje për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i PDK-së, në anën tjetër, ka thënë zgjedhjet e reja janë të domosdoshme.
“Ne nuk jemi në gjendje të mirë, Kosova është në agoni. Kemi një ekonomi të stagnuar, rritje enorme të çmimeve, me paga dhe pensione të vogla, të cilat nuk ju mjaftojnë familjeve kosovare të lidhin muajin me muaj”, ka thënë Krasniqi, duke kritikuar punën e Qeverisë aktuale edhe në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe politikës së jashtme.
Krasniqi ka thënë pas takimit me Kurtin se PDK-ja është e gatshme “të gjejmë një darkordim me të gjitha partitë parlamentare për një datë të re të zgjedhjeve, për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët”.
PDK-ja e ka përcaktuar Bedri Hamzën si kandidat të saj për kryeministër në zgjedhjet e radhës.
Në disa raste, muajve të fundit, është komentuar që mungesa e përparimit në formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, do të mund të përshpejtojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Pikërisht përparimi në këtë pikë është përmendur si kërkesë e faktorit ndërkombëtar për avancimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut.
Komiteti i Ministrave të këtij trupi do të mblidhet më 17 maj, por disa burime të Radios Evropa e Lirë kanë thënë se Kosova tash për tash, nuk është në agjendë.
Pritjet kanë qenë që në atë takim të votohej për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.
Autorja e raportit, Dora Bakoyannis, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë ditë më parë se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, ka thënë Kurti.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.