Kush do të thirret i pari në ushtri? Serbia gati për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm!

Serbia po përgatitet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe po hyn në një cikël të madh investimesh në mbrojtje, më të mëdhatë në historinë e saj të afërt, paralajmërojnë mediat nga Beogradi.

Evidentimi i detyruesve ushtarakë pritet të nisë që në shtator, ndërsa rekrutët e parë mund të hyjnë në kazerma në dhjetor të këtij viti ose në mars të vitit të ardhshëm, transmeton Spektri.

Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, ushtarët do të thirren periodikisht për trajnime shtesë, me qëllim përgatitjen dhe ripërtëritjen e përbërjes rezervë të ushtrisë.

Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për nevojat e shërbimit ushtarak janë planifikuar rreth 86.5 milionë euro për tre vitet e ardhshme, ndërsa shpenzimet totale për sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë arrijnë rreth 2.65 për qind të BPV-së, ku më shumë se gjysma e buxhetit shkon për investime.

Redaktori i emisionit Dozvolite, Goran Janiçviq, deklaron se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm është i sigurt, edhe pse data e saktë e fillimit ende nuk është përcaktuar.

Ai thekson se rikonstruksioni dhe rinovimi i objekteve në disa kazerma ka nisur që në vitin 2024, ndërsa gjatë vitit 2025 janë intensifikuar punimet për rritjen e kapaciteteve akomoduese për rekrutët. Paralelisht po zhvillohen edhe blerje të armatimit dhe pajisjeve ushtarake, pasi Serbia nuk ka pasur shërbim të rregullt ushtarak për më shumë se 15 vjet.

Vëmendje e veçantë, sipas Janiqeviqit, i është kushtuar edhe përgatitjes së kuadrit komandues. Kadetët e viteve të fundit të Akademisë Ushtarake tashmë po marrin pjesë në trajnime praktike për të qenë të gatshëm të punojnë me brezat e rinj të ushtarëve.

Janiqeviq sqaron se shërbimi ushtarak nuk është shfuqizuar, por vetëm i pezulluar, çka do të thotë se institucionet shtetërore do të kenë nevojë për kohë për t’u përshtatur sërish me procedurat praktike – nga thirrja e të rinjve, deri te pranimi i tyre në kazerma.

Ai thekson se kontingjentet e para të rekrutëve do të jenë kyçe, pasi përvoja e tyre do të ndikojë drejtpërdrejt në perceptimin publik për rikthimin e shërbimit ushtarak.

Sipas Janićevićit, sfida kryesore do të jetë përshtatja e brezave të rinj me disiplinën dhe regjimin ushtarak. Të rinjtë e sotëm, thotë ai, nuk janë mësuar me kufizime, mungesë të telefonave mobilë dhe rrjeteve sociale, si dhe me ushtrime fizike dhe teknike që zgjasin disa orë në ditë.

Në këtë kontekst, roli i eprorëve do të jetë vendimtar, pasi respekti ndaj autoritetit duhet të ndërtohet përmes dijes, shembullit personal dhe komunikimit njerëzor.

Duke folur për kohëzgjatjen e shërbimit ushtarak prej 75 ditësh, Janićević vlerëson se bëhet fjalë për një trajnim bazë, mjaft të ngjeshur. Sipas planit, rreth 60 ditë do të zhvillohen në kazerma dhe poligone, ndërsa 15 ditë në terren.

Ai shton se edhe pas përfundimit të shërbimit, ushtarët rezervë do të thirren për trajnime periodike, zakonisht nga 15 ditë, për të ruajtur gatishmërinë luftarake të njësive rezervë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilović, ka deklaruar më herët se të parët që do të rekrutohen do të jenë të rinjtë e lindur në vitin 2006, duke theksuar se çdo vit vonesë nënkupton humbje të një gjenerate të tërë të rekrutëve.

Sipas tij, në një vit parashikohet trajnim për deri në 20.000 rekrutë, të ndarë në cikle prej rreth 5.000 ushtarësh çdo dy muaj e gjysmë./Spektri