Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim komandantin e anijes amfibe zbarkuese USS Pearl Harbor, Alban Dervishi, oficerin amerikan me rrënjë shqiptare që shërben në Forcat Detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Maqedonci tha se përkushtimi, profesionalizmi dhe suksesi i tij janë dëshmi e fuqishme e rolit gjithnjë e më të madh të shqiptaro-amerikanëve në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes së SHBA-së.
“Ai përfaqëson me dinjitet vlerat e shërbimit, përgjegjësisë dhe lidershipit”, tha ministri.
Maqedonci thotë se gjatë takimit, Dervishi është shprehur i nderuar që po viziton Kosovën dhe ka vlerësuar arritjet e vendit, veçanërisht në zhvillimin dhe avancimin e sistemit të mbrojtjes.
“E falënderova për vizitën dhe ritheksova mirënjohjen tonë për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Republikës së Kosovës. SHBA mbetet aleati ynë strategjik dhe i pazëvendësueshëm”, ka shkruar Maqedonci pas takimit që ka pasur me Dervishin.
Takim me oficerin komandues të USS Pearl Harbor, ka zhvilluar edhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.
“Fillimisht, Gjeneral Jashari e uroi Komandantin Dervishi për sukseset e arritura në drejtimin e një anijeje kaq të rëndësishme të Forcave Detare të SHBA-së. Po ashtu, e informoi për zhvillimet më të fundit dhe arritjet e deritanishme të FSK-së, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë dhe shumë të suksesshëm me Forcat e Armatosura të SHBA-së. Në veçanti, theksoi partneritetin me Gardën Kombëtare të Ajovës, duke vlerësuar lart rolin dhe mbështetjen e partnerëve amerikanë në forcimin dhe avancimin e FSK-së”, thuhet në njoftimin për media që ka shpërndarë FSK-ja për këtë takim.

Në anën tjetër, thotë njoftimi, komandant Dervishi e përgëzoi Jasharin për arritjet e FSK-së në zhvillimin e kapaciteteve operacionale, posaçërisht për mbështetjen në avancimin e burimeve njerëzore të forcës dhe zhvillimin e karrierës ushtarake për të gjithë personelin e forcës.
“Në fund, Komandanti i FSK-së, Gjeneral Jashari e falënderoi Komandant Dervishin për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe u pajtuan në vazhdimin e shkëmbimit të përvojave ndërmjet forcave tona, si një pjesë e rëndësishme e avancimit të ndërveprueshmërisë”, thuhet tutje në njoftim.
Bëhet e ditur se Dervishi realizoi edhe një vizitë dhe bashkëbisedim me kadetët e Qendrës për Studime Universitare të FSK-së, me të cilët ndau përvojat e tij të lidershipit dhe karrierës ushtarake në Forcat Detare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
