Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave Kombëtare dhe Dialogun Shoqëror në Serbi, Demo Berisha, ka zhvilluar një takim me shefin e Misionit të OSBE-së në Serbi, Marcel Peshko, ku u diskutua për avancimin e të drejtave të pakicave kombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit institucional.
Sipas njoftimit të ministrisë, pjesë e bisedimeve ishte edhe pozita e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe rëndësia e komunikimit të vazhdueshëm mes institucioneve shtetërore dhe këshillave kombëtare.
Berisha ka deklaruar se Këshilli Kombëtar Shqiptar vazhdimisht refuzon dialogun me ministrinë, duke theksuar se ai është i gatshëm të takohet “në çdo kohë dhe në çdo vend që i përshtatet palës tjetër”, me qëllim vazhdimin e dialogut dhe shqyrtimin e çështjeve me interes të përbashkët.
Ai ka shtuar se mungesa e komunikimit nuk u shërben qytetarëve shqiptarë, por vetëm e vështirëson zgjidhjen e problemeve ekzistuese.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar, me seli në Bujanoc, kanë bojkotuar Berishën që nga emërimi i tij si ministër. Kryetari i KKSh-së, Enkel Rexhepi, ka deklaruar më herët se Qeveria e Serbisë nuk po i përmbush detyrimet ndaj shqiptarëve, përfshirë moszbatimin e “Planit me shtatë pika”, mungesën e integrimit dhe mosnjohjen e diplomave të Kosovës.
Edhe deputeti Shaip Kamberi e ka cilësuar më parë emërimin e Berishës si “politikisht të papranueshëm”, duke e akuzuar atë për mohimin e identitetit kombëtar dhe politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Në takimin me OSBE, Berisha ka theksuar se ministria mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjeve dhe krijimin e një ambienti të barabartë për të gjithë qytetarët, ndërsa bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, si OSBE, u vlerësua si kyç për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin e të drejtave të njeriut./Spektri
