Nga 10 prilli priten kolona të gjata në kufijtë e Shengenit – ja ku qytetarët e Luginës mund të udhëtojnë pa sistemin EES

Nga 10 prilli 2026, udhëtimet e qytetarëve të Serbisë drejt vendeve të zonës Shengen do të përballen me ndryshime të rëndësishme, pasi sistemi evropian EES (Entry/Exit System) do të kalojë në regjim të plotë, 24-orësh. Kjo pritet të sjellë pritje shumëorëshe dhe kolona të gjata në pikat kufitare, veçanërisht gjatë festave dhe sezonit veror.

Sipas përvojave të deritanishme nga zbatimi gradual i sistemit, pritjet më të gjata janë shënuar në kufijtë me Hungarinë dhe Kroacinë, ndërsa gjatë verës priten ngarkesa edhe në drejtim të Bullgarisë. Sistemi EES zbatohet vetëm në kufijtë e jashtëm të zonës Shengen dhe përfshin regjistrim biometrik për shtetasit e vendeve jashtë BE-së, përfshirë qytetarët e Serbisë.

Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët udhëtojnë shpesh për pushime, vizita familjare apo tranzit, ekzistojnë alternativa pa EES. Udhëtimet drejt vendeve të rajonit si Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina nuk i nënshtrohen këtij sistemi. Po ashtu, Turqia dhe Qiproja mbeten destinacione ku EES nuk aplikohet.

Autoritetet paralajmërojnë se kulmi i pritjeve pritet gjatë festave të Pashkëve dhe pushimeve verore, ndaj qytetarët këshillohen të planifikojnë me kujdes udhëtimet e tyre./Spektri