Mishetiq: S’ka prova që Thaçi mori pjesë në takimet e SHP-së

 Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, para trupit gjykues ka vazhduar të paraqesë argumentet se pse Thaçi është i pafajshëm në pikat e kësaj çështjeje penale, duke përfshirë edhe faktin se klienti i tij nuk ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

 

Mishetiq deklaroi se Hashim Thaçi nuk ka qenë në Kosovë gjatë një pjese të madhe të periudhës që përmendet në aktakuzë, duke theksuar se nuk ekzistojnë prova që ai ka marrë pjesë në takimet e Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas tij, Prokuroria po përpiqet të anashkalojë mungesën e Thaçit në Kosovë duke pretenduar se anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë konsultuar me të përmes telefonit ose janë njoftuar më pas për rezultatet e takimeve.

“Prokuroria përpiqet që ta anashkalojë problemin e mungesës së zotit Thaçi në Kosovë, duke argumentuar se anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë konsultuar përmes telefonit apo janë njoftuar më pas lidhur me rezultatet e takimeve të Shtabit të Përgjithshëm”, ka deklaruar Mishetiq.

Mishetiq ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me komunikatat e UÇK-së dhe me atë se ato kanë pasur mesazhe që kanë nxitur krimin.

“Komunikatat e UÇK-së nuk kanë qenë nxitëse të krimit sepse në të kundërtën dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë dhënë dëshmi në këtë çështje do ta kishin ditur këtë dhe do e kishin bërë me dije për ju”, tha Mishetiq.

LIVE: Mishetiq: Hashim Thaçi është i pafajshëm

(E plotësuar, 10:25) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, ka filluar dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, në fillim të  deklaratës përmbyllëse tha se klienti i tij është i pafajshëm. Ai tha se Prokuroria nuk ka arritur që të plotësojë kriterin e barrës së provës ndaj klientit të tij.

“Hashim Thaçi është i pafajshëm”, tha fillimisht Mishetiq. Para jush keni katër burra, për të cilët ligji thotë që duhet t’i prezumoni të pafajshëm”, tha ai.

Avokati Mishetiq deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka arritur të përmbushë standardin e barrës së provës, duke theksuar se provat dhe dëshmitë e ndërkombëtarëve, pjesëtarëve të UÇK-së dhe dokumentet shkresore hedhin dyshime mbi pretendimet e saj.

“Para jush qëndrojnë katër burra, për të cilët ligji kërkon që të prezumohen të pafajshëm. Ky proces është ngritur pasi Prokuroria pretendon se posedon prova që tregojnë fajësinë e tyre përtej dyshimit të arsyeshëm. Për më shumë se pesë vite, ky proces ka pasur për qëllim vetëm verifikimin e pretendimeve të Prokurorisë, dhe jo gjykimin e jetës personale të Thaçit. Ky gjykim shqyrton vetëm pretendimet e Prokurorisë dhe nuk duhet të ndikojë në prezumimin e pafajësisë së të akuzuarit,” shtoi ai.

Ai shtoi se dëshmitarët ndërkombëtarë kanë konfirmuar se ngjarjet e përmendura nuk ishin të lidhura me Hashim Thaçin, bazuar edhe në informacionet e shërbimeve të inteligjencës.

“Ky gjykim nuk është verifikim i jetës së Thaçit. Ky është verifikim i pretendimeve të Prokurorisë së Thaçi nuk duhet të gëzojë prezumimin e pafajësisë”, tha ai.

Sipas tij, të akuzuarit duhet të prezumohen të pafajshëm dhe gjykimi ka për qëllim vetëm verifikimin nëse Prokuroria mund t’i provojë pretendimet përtej dyshimit të arsyeshëm.

Avokati i Thaçit ka folur edhe për pikën e akuzës së Prokurorisë (ZPS) se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale, në krye me të akuzuarit, me qëllim të marrjes nën kontroll të gjithë Kosovës.

Mishetiq tha se nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta që ka ekzistuar një plan i tillë.

“Nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi. Në fakt, secili prej dëshmitareve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e ZPS-së, dhe për më keq, ZPS-ja nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari”, ka thënë Mishetiq.

Gjykata Speciale, mbrojtja e Thaçit paraqet deklaratën përmbyllëse

 

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot, për të tretën ditë me radhë, do të vazhdojë me deklarata përmbyllëse, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në Hagë, pritet të nisë fjala përmbyllëse i ekipit të mbrojtjes së Hashim Thaçit.

Të martën, me fjalën e mbrojtësit të viktimave, Simon Laws, është përmbyllur dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë, në rastin ndaj ish-eprorëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, raporton RTKlive.

Gjatë ditës, dje, Prokuroria e Specializuar përfundoi fjalën e saj përmbyllëse, duke pretenduar se Hashim Thaçi kishte mashtruar ndërkombëtarët, duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes lidhur me UÇK-në dhe ish-udhëheqësit e saj duhet të vlerësohen me rezervë.

Të hënën prokurorja e specializuar Kimberly West, njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim apo 180 vjet në total.

Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e mbajti përfaqësuesi i viktimave, i cili kërkoi që në vendimin e trupit gjykues të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit, raporton RTKlive.

Ndryshe, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë mohuar duke i cilësuar si të pabazuara.

Mbrojtja ka hedhur poshtë këto akuza, duke argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur një strukturë të organizuar komanduese dhe se krimet që i atribuohen katër të akuzuarve nuk janë të provuara.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërsa ky proces ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Kosovë dhe më gjerë.