Kompania hungareze e naftës MOL mund të paguajë rreth 1,4 miliardë euro për blerjen e 56,15 për qind të aksioneve të kompanisë serbe Naftna Industrija Srbije (NIS), të cilat aktualisht janë në pronësi ruse.
Këtë e raporton portali hungarez Nepszava, duke u thirrur në burime të besueshme, transmeton Spektri.
Kjo shumë përputhet me vlerësimet e mëparshme të analistëve të Erste Bank, sipas të cilëve një blerje në këtë nivel çmimi do të kishte ndikim pozitiv në vlerën e aksioneve të MOL-it. Analisti Tamaš Pletser ka vlerësuar se një çmim më i lartë se kaq nuk do të sillte përfitime shtesë për aksionarët e kompanisë hungareze.
Mediat rikujtojnë edhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili më herët kishte thënë se MOL do të paguante ndërmjet 900 milionë dhe një miliard euro. Ndërkohë, brokeri Branislav Jorgiq ka theksuar se vlera kontabël e NIS-it arrin në 3,2 miliardë euro.
Procesi i marrjes së aksioneve po zhvillohet në rrethana të ndërlikuara për shkak të sanksioneve amerikane ndaj Gazpromit dhe kompanive të tij, përfshirë edhe NIS-in. Sipas raportimeve, transaksioni mund të përfundojë deri në fund të marsit, ndërsa rafineria e NIS-it ka të drejtë të blejë naftë deri më 20 shkurt, datë deri në të cilën i është zgjatur licenca e funksionimit.
Lajmi për negociatat mes MOL-it dhe Gazpromit ka ndikuar drejtpërdrejt në treg, duke çuar aksionet e kompanisë hungareze në nivelin më të lartë të 19 viteve të fundit./Spektri