Takim në Tiranë për çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Për të diskutuar pozitën dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës, një delegacion u prit sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë nga ministrja Elisa Spiropali.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, i cili njoftoi se gjatë takimit u diskutuan çështje kyçe që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në Luginë dhe nevoja për një qasje të përbashkët, programatike dhe sistematike në adresimin e tyre.

Sipas Rexhepit, temat e diskutuara përfshinë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, përjashtimin e shqiptarëve nga jeta institucionale, si dhe vazhdimin e mohimit të së drejtës për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare.

Ai ka falënderuar ministren Spiropali për, siç u shpreh, “mikpritjen e ngrohtë dhe vëllazërore”, si dhe për gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në trajtimin e këtyre çështjeve. Po ashtu, falënderime janë shprehur edhe për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd, për rolin e saj koordinues në adresimin e problematikave të ngritura.

“Nga një angazhim më i madh i Shqipërisë dhe Kosovës në Luginën e Preshevës rrjedh më shumë shpresë për shqiptarët e këtij rajoni. Bashkë jemi më të fortë”, ka theksuar Rexhepi.