Në botën e re të paqëndrueshme, një gjë është e sigurt: Rikthimi i forcës amerikane

Burimi: The Telegraph (titulli: Trump’s stunning show of strength is a major gamble)

Goditje e guximshme strategjike apo akt i pamatur i një të çmenduri? Me përhapjen e lajmit se Shtetet e Bashkuara kishin bombarduar Venezuelën, duke fshirë çdo gjurmë të reputacionit të epokës Biden si një gjigant i butë që trembet nga hija e vet, u bë e qartë se, edhe një herë, Donald Trumpi i kishte kapur të gjithë në befasi. Kolosi i Veriut është zgjuar. Dhe, ai është i uritur.

Kalojnë disa orë dhe presidenti triumfues informonte gazetarët e hutuar në Mar-a-Lago se Shtetet e Bashkuara do të “drejtojnë vendin” derisa të mund t’i dorëzohej një administrate të re. Çfarë? Për sa kohë? Dhe, me sa divizione trupash? Hollësi nuk pati, por sipas tij, gjigandët amerikanë të naftës do të “fitonin para” në ndërkohë.

Ky ishte ndërrim regjimi në formë të plotë. Kaq për “Së pari Amerika [America First]”.

Trumpi zgjodhi sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, që të fliste me shtypin përkrah tij. Rubio e meritoi: ky ishte momenti i tij.

Me prejardhje nga jugu i Floridës goxha antikomuniste, një strehë e njohur për disidentët kubanë dhe venezuelianë, Rubio ka kohë që argumenton për ndërrim regjimi në Karakas, duke shpresuar se kjo mund të çojë në rrëzimin e Havanës, një çmim që ka shmangur ShBA-ja që nga ditët e presidentit Kennedy. Ai rezultat mund të jetë i pasigurt, por fraksioni i Rubios i luftëtarëve të vjetër është në ngritje.

Po ashtu, kjo ishte një goditje për fraksionin izolacionist të MAGA-s së Trumpit. Sigurisht, ata mbështetën luftën kundër drogës. Por, këtë? Drejtoresha e inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard dhe klika e saj kundër ndërhyrjes – të cilët ishin për një marrëveshje me Maduron për naftën e tij – janë injoruar plotësisht, njësoj si atëherë kur, në qershorin e kaluar, ata përpiqeshin më kot të bindnin presidentin që të mos bombardonte lokacionet bërthamore të Iranit.

Qartësisht, kjo nuk kishte të bënte vetëm me narkotikët. Duhet ditur se tregtia e drogës e Venezuelës mbetet pas shteteve narkotike si Kolumbia, Meksika, Bolivia dhe Peruja. Sigurisht, Maduro kishte pluhur të bardhë në duar, por a ishte vërtet ai kreu i sindikatës së drogës, Karteli i Diellit, siç pretenduan Shtetet e Bashkuara në nëntor?

Në të vërtetë, shkalla e fushatës amerikane shkonte përtej objektivave të zbatimit të ligjit. Rrëmbimi i guximshëm i Madurós dhe gruas së tij kujtonte vrasjen e Osama Bin Ladenit në Abotabad më 2011, megjithatë, në gusht, Shtëpia e Bardhë rriti shpërblimin për kapjen e Madurós në 50 milionë dollarë – dyfishi i atij të kreut të Al-Kaedës.